Pescara ndal Napolin. Zhgënjen Interi

Përfundoi në barazim 2-2 derbi i parë i shqiptarëve në Serinë A. Memushaj, Manaj e Maloku u ndanë në paqe me Elseid Hysajn, autor i një asisti në Peskara-Napoli me skuadrën e Sarrit që rrezikoi seriozisht disfatën në “Adriatico”. Vetëm Memushaj titullar në formacionin e Oddos, me Manajn e Malokun që e nisnin nga stoli, si gjithmonë edhe këtë sezon titullar “i salduar” Hysaj te të kaltërit. Napoli në shok pas vetëm 8 minutash, me Verre që dërgoi Benalin para Reinas, me libianin që kaloi Peskarën në avantazh. 1-0 për Peskarën dhe Napoli ishte duke vuajtur jashtëzakonisht presionin e vendasve që në minutën e 35 goditën sërish, Zampano i shërbeu Benalit në zonë me libianin që me një veprim të bukur i dhuroi Caprarit topin e 2-0.
Napoli në telashe me Sarrin që futi në lojë Mertens në të 53 dhe belgun që i tha me dy gola njëri pas tjetrit se vendi e tredhëmbëshi i sulmit i përket atij duke shënuar pas vetëm 6 minutash në fushë golin e 2-1 me një goditje të saktë brenda zonës. Vetëm pas 3 minutash Hysaj përparoi deri në fund për të dhënë një krosim të ulët që i devijuar nga Coda gjeti Mertens, i cili vulosi barazimin 2-2. Në minutën e 64 edhe ndërrimi i shqiptarëve te Pescara me Memushajn që i la vendin në fushë Manajt, por rezultati nuk ndryshoi deri në fund me dy skuadrat që ndanë nga një pikë në të parën e kampionatit.
Nisi me një humbje shokuese aventura e Frank De Boer në stolin e Interit. Zikaltërit u mposhtën me rezultatin 2-0 në stadiumin “Bentegodi” të Veronas nga Chievo. Një humbje që djeg akoma edhe më shumë për faktin se Interi tregoi edhe një herë tjetër se është një skuadër që nuk ka një filozofi të qartë loje duke mos bindur në asnjë aspekt. 2 golat e fitores për Chievon mbajnë firmën e Valter Birsas. Në të 49-tën mesfushori slloven dhuroi spektakël ndaj mbrojtësve të Interit duke mposhtur Handanoviç. Ndërkohë që 10 minuta përpara fundit Birsa vulosi kapitullimin e Interit me një goditje potente nga distanca që la të shtangur bashkëkombasin e tij Samir Handanoviç.
Debuton me fitore Milani që mposhti 3-2 Torinon, ku Ajeti nuk ishte as në stol në një ndeshje me fund drithërimash. Protagonistë Carlos Bacca, autor i një tregolëshi dhe Donnaruma që priti 11-metërshin që mund të kishte ndryshuar rezultatin në finale. Në formë fantastike Carlos Bacca që finalizoi siç duhet një aksion vërtet të bukur të kuqezinjve duke shënuar me kokë. Duartrokitje të merituara nga publiku në “San Siro” që duhet të jetë i lumtur që sulmuesi vendosi të qëndronte kur dukej drejt largimit. Torino barazoi në fillimin e pjesës së dytë në të 48 me Bellotin që ndëshkoi Donnarumën pas një krosimi të Molinaros, por Milani mori sërish komandën pas vetëm dy minutash me Niang që pasoi nga e majta për Baccën, këtë herë gabon Moreto dhe Carlos shënoi. Për kolumbianin festa ende nuk kishte mbaruar pasi nuk kishte shënuar kurrë më parë një tregolësh me fanellën kuqezi dhe e bëri në këtë ndeshje, këtë herë shënoi falë një 11-metërshi të akorduar për faullin e Obit ndaj Bonaventura, duke i çuar shifrat në 3-1, Torino gjithsesi u kthye në lojë në minutat e shtesës me Basellin që ngushtoi diferencën dhe në frymën e fundit arbitri akordoi një 11-metërsh për Torinon për një faul të Palettas. Finale ankthi, por në duelin e 11 metrave Donnaruma u kthye në shpëtimtarin e skuadrës duke pritur goditjen e Bellotit me Montellën që e nis me një fitore dhe publikun në “San Siro” që duartrokiti skuadrën.

Exit mobile version