E ardhmja e Rey Manajt vazhdon të mbetet në pikëpyetje. Pas një fillim sezoni shumë pozitiv, sulmuesi shqiptar është aktivizuar shumë pak nga trajneri i Pescarës, Massimo Oddo në ndeshjet e fundit dhe gjasat më të mëdha janë që 19-vjeçari nga Lushnja të largohet në merkaton e janarit nga skuadra abruceze edhe kontrata e huazimit përfundon në verën e ardhshme. Drejtuesit e Pescarës kanë hyrë fuqishëm në merkato dhe po bëjnë çdo tentativë për të afruar në ekip njërin mes Paloschit dhe Djordeviç në këtë kontekst, Manaj nëse qëndron në stadiumin Adritico do të gjente shumë më pak hapësira në fazën e dytë të Serisë A.
Duke u bazuar edhe te lajmet që raportojnë mediat italiane, në janar kuqeziu do të rikthehet te Interi që është klubi që zotëron kartonin e lojtarit. Mbetet për t’u parë nëse Manaj do të qëndrojë te zikaltërit në pjesën e mbetur të këtij sezoni apo do të huazohet te një tjetër skuadër. Shanset më të mëdha janë që lojtari të largohet sërish nga Interi për të provuar një eksperiencë të re te një tjetër skuadër. Në Serinë A, interes për 19-vjeçarin ka shfaqur Empoli skuadër tek e cila militon edhe futbollisti tjetër i kombëtares kuqezi, Frederik Veseli. Rey Manaj në këtë sezon është aktivizuar në 12 ndeshje me Pescarën në Serinë A, duke realizuar dhe 2 gola, një ndaj Sassuolos dhe një tjetër ndaj Genoas.