Sihariqi i Ramës, suksesi i tij imagjinar i radhës!
Sali BERISHA
Me një fjalim paranojak kundër opozitës, Rama u përpoq sot të mbulonte e zhurmonte deklaratën publike të Kancelares Merkel, në të cilën ajo pohoi se për hapjen e negociatave duhet plotësimi i pesë kushteve dhe zhvillmi i zgjedhjeve sipas standardeve të OSBE. Përkundrejt vendimit të Komisionit Europian për të mos hapur negociatat me Shqipërinë, për arsye se nuk janë plotësuar kushtet, pesë prioritet dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi, si dhe kërkesës së kryetarit të Komisionit Europian të Bundestagut për plotësimin e shtatë kushteve nga Shqipëria për hapjen e negociatave, Edi Rama, me megafonët e tij kishte paralajmëruar se do të sillte një sihariq të madh nga Berlini më dt 28 nëntor, dhe nën zë thuhej se ky sihariq do të ishte heqja e kushteve dhe hapja e negociatave.
Mirëpo në të vërtetë nuk ndodhi as njëra e as tjetra. Kancelarja Merkel, në konferencën e shtypit, duke siguruar Shqipërinë për mbështetjen e saj, përsëriti pesë kushtet e njohura për hapjen e negociatave dhe shtoi se, përveç pesë kushteve të njohura duhen zgjedhjet e ardhshme brenda standardeve të OSBE! Ajo gjithashtu, jo rastësisht theksoi luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Që dje e në vazhdim, Rama qesharak bën gjithçka për të zhurmuar këtë deklaratë të qartë si kristali!
Kështu Rama, zgjodhi së pari:
– përpjekjen qesharake me papagajtë e tij për të mbuluar, manipuluar, sfumuar deklaratën e Merkel sikur shqiptarët nuk e kishin dëgjuar vet deklaratën e saj, zgjodhi mashtrimin e shqiptarëve, duke thënë se Gjermania mbështet hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ndërkohë që vet kancelarja iu tha shqiptarëve se qeveria e saj kërkon plotësimin e 5 kushteve dhe të zgjedhjeve brenda standardeve të OSBE në mënyrë që ajo të mbështesë hapjen konkrete të negociatave me Shqipërinë.
Së dyti, në vend të ftesës për opozitën për bashkëpunim në plotësimin e kushteve, Rama, sapo u kthye, në daljen e tij të parë publike, ndërrmori një sulm të egër primitiv ndaj opozitës, duke e akuzuar atë si shkaktare të dështimit të tij për hapjen e negociatave.
Sqaroj këtu se ndër vendimet që mund të merrte Komisioni Europian më dt 9 nëntor ishin:
1- Hapja e negociatave dhe caktimi i datës së hapjes së tyre, duke konstatuar dhe shpallur se kushtet u plotësuan. Kjo nuk ndodhi për faktin e thjeshtë, sepse qeveria nuk plotësoi kushtet në pesë prioritetet dhe Reformën në Drejtësi.
2- Hapja e negociatave, caktimi i datës dhe përfshirja e plotësimit të kushteve në procesin e negocimit. Ky do të ishte një akt mirëbesimi ndaj qeverisë. Një vendim të tillë, që është zbatuar për Serbinë, nuk u mor për Shqipërinë për shkak të kredencialeve të Ramës dhe qeverisë së tij. Shtoj këtu se, Rama dhe Ditziu i tij bënë gjithçka që Komisioni dhe vendet anëtare të merrnin një vendim të tillë edhe për Shqipërinë, por kjo kërkesë ndeshi në një Jo të prerë dhe të ftohtë. Personalisht, por dhe opozita, ka lobuar për këtë variant, natyrisht pa sukses!
3- Mos hapja e negociatave për shkak të mos plotësimit të kushteve, por angazhimi nga Komisioni për një raport tjetër të ndërmjetëm të shpejtë, të cilin ai do t’ua paraqiste vendeve anëtare sapo Shqipëria të plotësonte kushtet, me propozimin për hapjen e negociatave dhe caktimin e datës për fillimin e tyre. Një vendim të tillë mori Komisioni në vitin 2012, kur Edi Rama bllokoi tre ligjet. Ai vendosi që në rast se ligjet votoheshin deri në dhjetor, në mars të vitit 2013 do bënte një raport të ri me propozimin e qartë për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Kurse tani, Komisioni, duke vlerësuar plotësimin aktual të kushteve nga Shqipëria, nuk e bëri këtë. Ai nxorri drejtoreshën e marrëdhënieve publike, e cila iu tha qytetarëve se viti 2018 është afati i mundshëm për çeljen e tyre. Ekzakt të njëjtën gjë në Tiranë deklaroi dhe z. Krichbaum.
4- Komisioni, duke vlerësuar shkallën e plotësimit të kushteve në rastin e Shqipërisë, konstatoi se kushtet nuk janë plotësuar që ai të mund të rekomandojë hapjen e negociatave në datën dhe kohën e caktuar dhe vendosi që negociatat të hapen kur Shqipëria të plotësojë kushtet, duke shtuar si themelor zbatimin e Reformës në Drejtësi, Ligjit të Vettingut. Këtë vendim, deri para vizitës në Shqipëri të z. Krichbaum, deklaratës së tij publike për plotësimin e 7 kushteve dhe deklaratës së djeshme të znj. Merkel për plotësimin e pesë kushteve të caktuara nga Komisioni dhe zgjedhjeve sipas standardeve të OSBE, Edi Rama, si një Nastradin i vërtetë, si njeri që beson gënjeshtrat e tij, është përpjekur t’ua shesë shqiptarëve si vendim për hapjen e negociatave, i cili vetëm i tillë nuk është. Pikërisht se nuk është i tillë, duhet një vendim tjetër i Komisionit, i cili pasi të konstatojë se Shqipëria ka plotësuar kushtet, t’u kërkojë vendeve anëtare hapjen e negociatave. Ky raport do të hartohet në vitin 2018! Sot, me transparencë, Ministrja e Integrimit deklaroi se tani qeveria po lobon për një raport të ndërmjetëm për vitin e ardhshëm, si ai që premtoi Komisioni në vitin 2012 për statusin e vendit kandidat. Duhet të paranojmë se ekziston dhe një mundësi e fundit.
5- Vendimi: Shqipëria është larg dhe nuk meriton hapjen e negociatave. Ju siguroj se shkaku kryesor që nuk është marrë ky vendim shumë i rëndë qëndron para së gjithash në votën që dha opozita, kontributin e saj për ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi, për të cilën Kryetari i PD mori përgëzime publike nga vet Kancelarja Merkel, qeveria e SHBA, kryesuesi i radhës së BE, Presidenti i EPP, Komisioneri Hahn.
Duke përfunduar, theksoj se mos hapja e negociatave në këto vite ka patur dhe ka si shkaqe më kryesore:
– Murin e krimit, të korrupsionit dhe drogës që ngriti me shpejtësi marramendëse Edi Rama.
-Zëvendësimin në Shqipëri të shtetit ligjor me pushtetin e mafies
-Varrosja për herë të parë nëShqipëri të konsensusit nga Edi Rama
-Eksodi masiv i shqiptarëve nga politikat e këqija të Edi Ramës
-Dhunimi i masiv i zgjedhjeve të vitit 2015.
Shqiptarët nga këto probleme madhore do të mund të çlirohen vetëm duke i treguar këtij mashtruesi, mbështetësi kryesor i krimit, korrupsionit dhe drogës në Shqipëri, vendin që meriton një minutë e më parë! sb