“Pesë ditë para se Mehmet Shehu të vdiste, kisha një debat të ashpër me të pasi i kërkova…”- U v*tëvra apo e vranë? Dëshmia e rrallë e ish-zëvendëses së Ramiz Alisë

Nga tornitore, në nënkryetare e Kuvendit Popullor. Mine Guri ka qenë ndër funksionaret më të njohura në dy dekadat e fundit të komunizmit, por më e panjohura për sekretet që di rreth ish-udhëheqjes. Sekretare e Parë e Komitetit të Partisë në Kuçovë dhe Berat, deputete nga viti 1970-1990, e para femër nënkryetare e Presidiumit të Kuvendit Popullor për 8 vjet, por edhe nënkryetare e Kryesisë së tij, Mine Guri, foli në numrin e kaluar. Rrëfimi nisi që nga migrimi si fëmijë, nga Frashëri në Tiranë, punën si tornitore në uzinën “Enver Hoxha”, martesën me aviatorin Kadri Guri në Lushnjë, transferimin në Kuçovë e Berat si gruaja partiake më e pushtetshme, e deri te opinionet e saj për modën dhe sjelljen e kolegeve dhe grave të ish-udhëheqjes në Bllok.

Një ndalesë të veçantë ajo bëri te ish-kryeministri Mehmet Shehu, me të cilin ka pasur një debat, vetëm pak ditë para se të vetëvritej. Për dëshmitaren tonë, Mehmet Shehu, nuk është as mik e as armik, por: “Do t’i thosha vetëm; Iu prehtë shpirti në paqe, siç ia kam thënë me kohë. Me Fiqreten kam shkuar më mirë sesa me Mehmetin, se ky ishte më zevzek. Ishte kërkues dhe, për hir të së vërtetës, e njihte shumë mirë ekonominë dhe nuk e gënjeje dot. Vetëm se herë-herë ishte shumë brutal. Të bënte për ujë të ftohtë dhe vetëm kur e shihte se je dorëzuar, të merrte me të mira”. Këtu nis rrëfimi për Mehmet Shehun, por nuk duhet humbur dhe ajo që vjen më pas…?!

Znj. Guri, Mehmet Shehu, ishte vetëvrasje apo vrasje?

Vetëvrasje, jam e bindur.

Pse?

Dy herët e fundit që e kam takuar shokun Mehmet, nuk ishte mirë mendërisht. Nuk e kisha parë kurrë ashtu. Erdhi në Kuçovë dhe Berat, më 28 nëntor të vitit 1981. Ishte e shtunë, u takuam në Kuçovë. Të nesërmen do të merrte në analizë vendimet e Kongresit të VIII-të, të PPSh-së, në Berat. Që në momentin që e pashë, duke zbritur atë pasdite te Shtëpia e Pritjes në “Qytetin Stalin” (Kuçovë), e kuptova që diçka nuk shkon. Ndryshe nga herë të tjera, po udhëtonte pa eskortën e tij. Ishte vetëm me shoferin dhe truprojën Ali Çeno. Kur e takova shokun Mehmet, ai ishte krejt pa humor dhe më foli rëndë, me dyshime, pa më parë në sy.

Pa më përshëndetur, më pyeti direkt se ku është kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Beratit. I tregova se ai kishte shkuar në Vlorë, për të vendosur bustin e Hysni Kapos, por në zyrën e Degës janë “çunat” e tjerë. “Çuna?! Ç’janë këta çuna”, më pyeti ai gjithë nervozizëm dhe unë me shpejtësi i tregova që janë zëvendësuesit e kryetarit të Degës, sepse ai duhej të shkonte patjetër në Vlorë, ngaqë ishte nipi i Hysni Kapos. Kur i thashë kështu, sikur u qetësua pak, por sërish zëri ishte i ashpër dhe aspak dashamirës. U largova nga ai dhe, teksa po kaloja pranë makinës së tij, hodha sytë brenda.

Në sedilje ishin dy automatikë. Nuk i kisha parë armë herë tjetër. U largova e mërzitur, e menduar, por edhe paksa e fyer. U takuam sërish në darkë, por edhe gjatë mbrëmjes, po njësoj. Më kërkoi t’i tregoja programin. Ia tregova dhe ai as fliste fare. Më në fund, tha një; “mirë”. Atëherë i kërkova që ta shoqëroja për të nesërmen, por ma preu shkurt “jo”. M’u duk se nuk kishte kuptim të rrija më dhe u bëra gati të largohesha. Në atë çast, nuk e di se si ia dha mendja dhe më ftoi për darkë aty, në Shtëpinë e Pritjes.

Ndryshe nga ç’pandehja, ai filloi të hante bukë misri. Po përtypej fort dhe më tha: “E shikon ti, se si ha unë? Si qen, ha”. Unë ngela e habitur dhe i kërkova të mos e quante veten ashtu. Me erdhi keq vërtet, që e quajti veten ashtu. Fola dhe pak momente me fjalë të ëmbla, por duket se asnjë nga ato, nuk bëri punë. Shoku Mehmet u bë me nerva dhe, duke më lënë fjalinë në mes, thirri me inat një punonjëse të shërbimit dhe i bërtiti duke e sharë.

Pse e shante?

Sipas shokut Mehmet, ajo nuk i kishte dhënë për të pirë ilaçet, siç ia kishte lënë ai porosi. Por ajo në fakt, ia pati dhënë para darke, në orarin që i kishte thënë shoku Mehmet, madje në dorë. Këtë gjë ia pohova dhe unë. Vetëm atëherë e la të qetë punonjësen dhe i tha të largohej, edhe pse sërish, nuk dukej i bindur. E njëjta situatë tensioni, vijoi edhe të nesërmen. Ishte e diel pasdite. U mblodhëm në Berat dhe do të analizonim dhe zbërthenim vendimet e Kongresit të VIII-të, të PPSH-së. Të gjithë hapën blloqet për të mbajtur shënime, se çfarë do të thoshte shoku Mehmet, por thuajse ato ngelën bardhë.

Mbledhja mbaroi shpejt dhe kaluam te hotel “Turizmi” në darkën e përgatitur me këtë rast, si dhe për Pavarësinë dhe Çlirimin e vendit. Ashtu qejfprishur po rrinte në darkë dhe nuk po guxonte njeri që ta ngacmonte, por unë nuk durova. “Shoku Mehmet, qyteti është pa ujë”. Ai, sikur të mos kishte qenë fare aty, filloi të fliste për gjahun: “Jemi ngjitur deri në Rroshnik, duhet të shkojmë për gjah, deri në majën e Tomorrit”. U skuqa nga turpi, por nuk e lashë me kaq dhe iu ktheva sërish: “Shoku Mehmet, mua më vjen turp që t’u dal përpara. Ju lutem, të bëjmë diçka që të sjellim ujin e Bogovës këtu”.

Ishte sërish sikur të flisje me ajrin. Ai fliste me të veten dhe në fund më foli ashpër: “Shoqja Mine, do të më lësh rehat ti, apo jo”. Në ato momente, nuk e di se si më shtohej çdo minut guximi dhe e kundërshtova edhe unë ashpër: “Jo vetëm që nuk do t’ju lë rehat, por do t’ju vij që nesër edhe në zyrë. Populli nuk ka ujë. Po thahen bimët, po thahen dhe njerëzit. Të marrim ujë nga Bogova. Ju jeni dhe dhëndër Berati…”! Vazhduam dhe pak çaste kështu. Ai më thoshte se mungojnë paratë e, unë këmbëngulja se paratë të popullit janë.

Nuk iu ndava për çerek ore dhe, pasi më paralajmëroi tre here, që nëse nuk do ta lija këtë bisedë, do të ikte, iku vërtet. Iu turra nga pas dhe e luta që të kthehej, por më kundërshtoi. I kërkova ta përcjell, prapë më kundërshtoi. I thashë të njëjtën gjë edhe për nesër, vetëm ma preu shkurt; “jo”. Megjithatë, bëra ç’bëra, unë ia mora ujin për Beratin.

Domethënë u pajtuat?

Ne u takuam edhe një here, një javë më pas, më 13 dhjetor 1981. Më duket pesë ditë para vetëvrasjes. Vetëm pak minuta, sa e falënderova për ujësjellësin, por gjendja e tij mendore, ishte e njëjtë. U fut në Shtëpinë e Pritjes në “Qytetin Stalin” (Kuçovë) dhe aty mbylli dritaret me perde të errëta. Nuk e ngacmova më, pasi unë kisha marrë çfarë doja, për popullin e Beratit. Që të nesërmen e sherrit në Turizmin e Beratit, më telefonoi Adil Çarçani. Ai ishte zëvendëskryeministër në atë kohë. Fillimisht më tha se; pse i jam ankuar dhe e kam mërzitur shokun Mehmet?!

Si e zënë në faj, i tregova që kemi ngelur pa ujë, por në asnjë moment nuk kam dashur ta mërzis shokun Mehmet. Përkundrazi, isha përpjekur që ai të ndihej sa më mirë. “Do të vij vetë ta rregulloj këtë punë nesër. Në orën 5, do të jem aty me projektuesit. Do të sjellim projektin dhe uji do të merret nga Bogova. Paratë do të merren nga sektori i naftës. E zgjidhëm dhe këtë punë shoqja Mine, mos i mërzit më kot shokët”, kështu më tha shoku Çarçani dhe kështu u bë. Të martën, në orën 5 pasdite, ai ishte në Berat, bashkë me projektin e ujësjellësit. Atë ujë ka edhe sot Berati. Ai falënderim, ka qenë takimi im i fundit me shokun Mehmet.

A ishit ju në dijeni për sulmet që po përgatiteshin ndaj tij?

Nuk di për çfarë t’ju betohem, që nuk kam ditur gjë. Madje, kur Adil Çarçani më tha ashtu, u frikësova fillimisht. Unë vërtet kam qenë deputete dhe zëvendëskryetare e Presidiumit, por mos harroni që, gjithë jetën kam qenë punëtore e thjeshtë. Në Kuvend i kisha duart me kallo dhe shkoja me raporte nga puna në terren dhe jo me thashetheme dhe intriga. Vetëm më kujtohet një episod me shokun Ramiz Alia dhe aty kam kuptuar që diçka nuk shkon.

Çfarë episodi?

Në fillim të nëntorit, rrethi i Beratit mori një “Flamur”. Ishte simboli për punën e qytetarëve dhe me këtë rast organizohej një ceremoni, ku ishin të pranishëm shumë shokë të udhëheqjes. Mehmet Shehu, do të ma dorëzonte “Flamurin” mua, të cilin u ngjita dhe mora në podium, mes duartrokitjeve dhe muzikës solemne. Krejt e lumtur, disa ditë në mes, kishim një mbledhje në Kuvend. Si nënkryetare e Presidiumit, isha ulur afër kryetarit të Presidiumit, shokut Ramiz Alia. Ia zgjata dorën gjithë gëzim, por ai më refuzoi duke më thënë: “Nuk ta jap dorën, se ta dha ai (Mehmet Shehu)”.

Po me Enver Hoxhën, keni bërë ndonjëherë debat ose ju ka ndodhur ndonjë incident, si ky me Ramiz Alinë?

Jo, asnjëherë. Edhe këtë që më ndodhi me shokun Ramiz, nuk e quaj incident, por një reagim i tij, për të më lënë mua të kuptoja diçka. Edhe pse unë, sërish nuk e kuptova, deri në ditën kur vrau veten. Sa i përket shokut Enver, kam pasur vetëm biseda pozitive, por ishte edhe provokator. Do të theksoja, provokator me shumë dashamirësi, ndaj meje.

Për shembull, na tregoni ndonjë nga këto provokimet dashamirëse të Enver Hoxhës, ndaj jush.

Mbaj mend një herë, që shoku Enver më kishte ftuar për drekë mua dhe shokët e partisë së Beratit dhe Kuçovës, Gaqo Nesho e Dhimitër Brisku. Do të drekonim te Shtëpia e Pritjes në Kuçovë, sepse më pas shoku Enver, do të ikte për në Skrapar. Teksa po hanim, më thotë shoku Enver: “Pa ma jep pak atë dorë”. Si në turp ia zgjata dorën. Ai e hapi mbi pëllëmbën e tij dhe më provokoi me një pyetje: “Dorën me kallo e paske dhe duket që ke punuar shumë.

Pashë dhe fushat me grurë plot. Po ja, moj shoqja Mine, nëse ju bie shi dhe ju prish grurin, çfarë do të bëni ju? Me se do të ushqehet populli i Beratit”?! Mua shpejt e shpejt më erdhi përgjigja në mendje: “Do të mbjellim misër, shoku Enver. Dhe nga 30 kuintalë grurë për dynym, do të marrim 60 kuintalë me misër”. Shoku Enver më lavdëroi për përgjigjen dhe më ftoi pastaj që të hanim.

Çfarë ju kishte porositur Enver Hoxha për të ngrënë dhe çfarë hëngri ai vetë?

Mbase nuk do ta besoni, por ai hëngri vetëm një sallatë jeshile me majdanoz, 2 copa te vogla patate të zier dhe një gjysmë racioni mish zogu. Dhe, teksa hante, na shpjegonte vlerat ushqyese të sallatës dhe përgjithësisht të bimëve. Ndërsa ne na vuri para një supë me perime, biftek me patate të skuqura dhe fruta në fund. Por unë, as haja dot. Më vinte shumë turp. Shoku Enver më lutej që të fusja diçka në gojë, por kisha emocione. Në fund, ndau një kokërr molle dhe këmbënguli që të haja të paktën gjysmën.

Po përgjithësisht, si ishte ushqimi në shtëpitë e ish-udhëheqësve, ku ju kanë ftuar për të ngrënë?

Shumë thjesht hahej. Unë e di që është përhapur miti i rremë, se bëhej name, duke therur qengja nëpër shtëpitë e ish-udhëheqësve. Unë kam qenë në shumë prej tyre dhe thuajse i njëjti ushqim, supë ose gjellë, ndonjë meze e vogël dhe fruta në fund. Madje, shumë prej tyre, servirnin gjellë tradicionale shqiptare, sidomos byrekun. Edhe unë njësoj kam gatuar. Madje, lakrori im me hithra, mori namin deri në Tiranë.

Kush ta nxori këtë “nam”?

Ramiz Alia. Një herë ai erdhi në shtëpinë time për vizitë dhe më gjeti duke gatuar lakror. Iu luta të ndalej për drekë dhe ai pranoi, me kusht që të provonte lakrorin tim. Mua më erdhi zor në fillim, se ngaqë ishte me hithra, por ai këmbënguli. Teksa po e hante, e lavdëronte gjatë gjithë kohës dhe, kur kishte shkuar në Tiranë, u kishte thënë të gjithëve. Pastaj, kush vinte në shtëpinë time, më kërkonte lakror me hithra.

A mbani ende shoqëri me ish-udhëheqësit e komunizmit?

Atyre që vdiqën gjatë këtyre viteve, u kam shkuar në varrim. Me ata që janë gjallë, përpiqemi të bëjmë vizita të ndërsjella, por mosha nuk na lë vend shumë tani, për dëshirën e të udhëtarit. Përgjithësisht, miqtë më të mirë nga komunizmi, jetojnë në Tiranë dhe unë rrallë vij atje. Megjithatë, për sebepe bëj si bëj, vij.

Vizita tuaja të fundit te ata, konkretisht…

Te Vito Kapo, Naunka Bozo, Themie Thomai.

Po te Nexhmie Hoxha?

Kam kohë pa vajtur, por interesohem me telefon dhe më së shumti pyes djalin e saj, Ilir Hoxhën. Me atë kam ruajtur respektin dhe miqësinë, që nga koha kur punonte në Poliçan.

Çfarë pune bënte ai atëherë?

Mekanik i thjeshtë në Uzinën e Poliçanit. Dhe mendo, në Tiranë flitej se ai privilegjohej…!

A privilegjohej në fakt?

Po ju tregoj vetëm një episod të shkurtër. Kishin vënë bast te uzina ku punonte Iliri, se ai merrte me vete, vetëm bukë me mish, peshk, apo gjëra të tjera të mira. Disa kolegë të tij, fshehtas, ia kontrollojnë 3 ditë rresht bukën. Ia gjejnë një ditë, vetëm me marmelatë. Një ditë vetëm me djathë, ullinj dhe qepë. Dhe ditën e tretë, vetëm me vezë…! Nëse ju e quani këtë privilegj, çdo të thoshim, për bijtë e pushtetarëve të sotshëm?

Më thoni një prej tyre që bën një punë të thjeshtë…! Privilegjet në periudhën komuniste, mbase kanë qenë, nuk e di, por personalisht, nuk i kam njohur. Nga kjo, besoj që, nëse kanë qenë këto privilegje, kanë qenë raste të izoluara. Privilegjet e vërteta, lindën me ardhjen e kësaj që quhet demokraci, por që nuk është e tillë…!

Pse nuk është demokraci kjo?

Po marr konkretisht shembull veten. Unë deputete në 5 legjislatura dhe ka plot të tjera nga këto të sotshmet, që kanë qenë vetëm një legjislaturë. I njëjti post politik, pensione të ndryshme. Unë marr një pension qesharak, ndërsa këto “të demokracisë”, pension luksoz. Kjo është demokracia, me dy standarde?!

Çfarë ju duket pozitive dhe negative te gratë e sotshme në Kuvend?

Po e nis te negativja, që të lë një fjalë të ëmbël, për në fund. Sharjet mes femrave në Kuvend, më “tërbojnë”. I dëgjoj dhe skuqem. Kam punuar me 12 mijë femra në Kombinatin Tekstil “Mao Ce Dun”, të Beratit dhe nuk kam dëgjuar kurrë fjalor aq të ndyrë…! Ndërsa ajo çfarë më pëlqen, është vetëm pamja e tyre e jashtme. Por, besoj se ajo vjen, ngaqë kanë mjetet e duhura dhe plot kohë, për t’u kujdesur për veten. Dhe pastaj, ngaqë merren aq shumë me veten e tyre, nuk u del më koha për votuesit…!

Po pas viteve ’90-të, çfarë vije partiake keni mbajtur?

Komuniste dhe vetëm komuniste. Edhe atëherë kur u mohua me ligj si parti, kam qenë komuniste, nga ato të vërtetat ama.

Pse ka edhe komunistë të rremë?!

Ouuu, po si jo. U bënë nja 3-4 parti komuniste më duket, pasi u hoq ligji i ndalimit. Edhe Partia Socialiste, parti komuniste është. Por partia e vërtetë komuniste, është ajo që la trashëgim Enver Hoxha.

E keni përjetuar keq vdekjen e Enver Hoxhës?

Jashtëzakonisht keq. Qaja dhe shkulja flokët. Por situatën më të keqe e kam përjetuar kur ua kam komunikuar lajmin e vdekjes vajzave dhe grave të Kombinatit Tekstil.

Pse?

Jua thashë, ishin 12 mijë femra që punonin në Kombinat. Kur u tregova për vdekjen, disa prej tyre u ra të fikët. Ambulanca bëri disa rrugë, për te ne dhe mori dhjetëra vajza e gram për t’i çuar në spital. Të tjerat lotonin pa fund.

Dhe ju mendoni, se ishin lot të vërtetë?

Mbase nuk kanë qenë lot të vërtetë, tek të 12 mijë femrat, por minimalisht, te 10 mijë prej tyre, patjetër që po. Dyshoj të jenë shtirur kaq shumë. Femrat e Beratit, nuk janë njohur ndonjëherë për aktore profesioniste.

Po për çfarë janë njohur?

Për besnikëri politike ndaj Partisë dhe shokut En ver. Berati ka qenë, është dhe do të jetë, komunist, pavarësisht emrave që kanë partitë fituese këtu. Memorie.al

Exit mobile version