Pesë mashtrimet me premtimet e Ramës

Edmond SPAHO

Sot është dita që qeveria derdh lumin e premtimeve dhe sukseseve që do të arrihen vitin e ardhshëm. Kryeministri së bashku me ministrat në një garë pa fund se kush e kush t’i japë më parë popullit sihariqet e vitit 2017 po dalin në foltore dhe me fjalorin “për herë të parë në 25 vjet” dhe “më shumë se 25 vjet të marra së bashku” po na shpjegojnë se qytetarët vitin e ardhshëm do të hanë, do të pinë dhe do të këndojnë sepse kanë kryeministër Lale Gjonë.
Nuk është hera e parë që e dëgjojmë këtë këngë. Eshtë e katërta që nga qershori i vitit 2013. Muaji nëntor për qeverinë është muaj me gaz dhe hare.
Pasi kalon kjo tallava suksesesh ku çmimin si tallavaja më e mirë e merr Kryeministri dhe ministri i Financave, fillojnë dhe i dalin petët lakrorit.
Nis rishikimi i buxhetit, sepse entuziazmi i qeverisë nuk mban më shumë se muaji shkurt. Treguesit fillojnë e hollohen nga i ftohti i dimrit, duke përsëritur të njëjtin skenar dështimesh si në vitin 2014, në vitin 2015 dhe në vitin 2016.
Shtatë herë në ulje është rishikuar buxheti i këtyre viteve: një herë në vitin 2013, dy herë në vitin 2014, tre herë në vitin 2015 dhe një herë në vitin 2016. Eshtë në proces rishikimi i dytë në ulje për vitin 2016 dhe që do të vijë në Kuvend sapo të mbarojë cirku i sukseseve të vitit të ardhshëm.
Buxheti i vitit 2017 është i fundit i këtij mandati qeverisës dhe na jep mundësinë të bëjmë një vlerësim të çfarë na u premtua në qershor të vitit 2013 dhe çfarë na ka mbetur në tryezë pas katër viteve të qeverisjes së Edi Ramës.
Më poshtë po citoj çfarë ka thënë Kryeministri në 11 shtator 2013, kur paraqiti programin qeveritar katërvjeçar:
“Shumëkush përpara se sa të vija këtu për të mbajtur këtë fjalë, fjalën më të rëndësishme të jetës sime politike, më sugjeroi dashamirësisht të shkruaja një fjalim për të ulur pritshmëritë. Shqipëria është në një krizë të gjithanshme, s’ka para, s’ka kredibilitet, s’ka këtë e s’ka atë, prandaj mos ua ushqe njerëzve pritshmërinë super të lartë që kanë ndaj qeverisë së re! Por unë jam shumë i kënaqur me pritshmërinë e lartë ndaj qeverisë. Kemi një skuadër të re, ambicioze, me njerëz të talentuar dhe të përkushtuar, më harmonikë se asnjëherë më parë mes burrave dhe grave, produkt i leximit në respekt të votës së 23 qershorit”.

Premtimi i parë:
“Do ul taksat për 95% të shqiptarëve dhe të varfërit do të paguajnë më pak sepse marrin pak dhe të pasurit do të paguajnë më shumë sepse fitojnë më shumë”.
Që të jemi të ndershëm sot të dy palët paguajnë më shumë, si të pasurit edhe të varfërit, por më shumë se këta në raport me të ardhurat paguan shtresa e mesme e popullsisë të cilës gjatë këtyre katër viteve i janë shtuar një karvan me taksa të reja.
23 miliardë lekë ose 220 milionë $ u rritën taksat në vitin e parë të qeverisë Rama. Tatimi mbi fitimin u rrit nga 10% në 15%, taksa e qarkullimit u rrit me 10 lekë për litër karburant, akciza e duhanit u rrit me 20 lekë për paketë dhe pagat e mesme dhe të larta u taksuan nga 13-23%.
Në vitin 2015 u rritën tatimi mbi dividentin, qeratë, pasuritë e paluajtëshme dhe trashëgiminë nga 10% në 15%. Taksa e qarkullimit me 10 lekë të tjera për një litër karburant, akciza e duhanit me 20 lekë për paketë. Qytetarët u ngarkuan me 16 miliardë lekë taksa dhe tatime ose rreth 150 milionë $.
Në vitin 2016 u rrit taksa e primeve të sigurimit nga 3% në 10%, u rritën kontributet dhe tatimi mbi të ardhurat për profesionet e lira me një vlerë prej 11 milionë $. U rrit taksa mbi truallin nga 10% në 15%, akciza e birrës me 60 lekë për litër si dhe u vendos taksa për automjetet luksoze.
Gjatë vitit 2017 do të rritet çmimi i gazit të lëngët për shkak të vendosjes së akcizës sikurse do të rritet edhe taksa e importit të automjeteve me kapacitet mbi 3000cc.
Rreth 1 miliard lekë do të shtohen si barrë mbi qytetarët ose rreth 10 milionë $.
Përse duhet të rritet çmimi i gazit për automjetet? Duhet ta stimulojmë përdorimin e gazit në automjete apo ta dekurajojmë? Përse bota e nxit përdorimin e gazit dhe bëjmë të kundërtën duke i rritur çmimin?
Ka njerëz që thonë se me vendosjen e akcizës mbi gazin do të rritet edhe çmimi i gazit për nevoja shtëpiake. Nuk është e vërtetë thotë qeveria se shitësit do të mbajnë dy depozita veç per makina e veç për përdorim shtëpiak.
Mister mbetet të mësojmë se si qeveria do e kontrollojë importin e gazit, çfare sasie do jetë për makina dhe çfare sasie për përdorim shtëpiak. Po kështu si do ja bëjmë ne qytetarët e thjeshtë kur të na thonë që depozita për përdorim shtëpiak ka mbaruar. Po deshe merr nga kjo e makinave po s’deshe ngrohu në diell.
Edi Rama premtoi në qershor 2013 se do të ulte taksat për 95% të shqiptarëve, se do të ulte çmimin e energjisë elektrike, se do hiqte TVSH për ushqimet e shportës, e të tjera e të tjera-siç thoshte i ndjeri Teodor Keko.
Jo vetëm që këto taksa nuk i uli, por rriti çmimin e produkteve bazë përfshirë çmimin e energjisë elektrike, të naftës dhe të gazit. Në katër vite Rama i ka rritur taksat duke ja shtrënguar litarin qytetarëve të tij me 43 miliardë lekë ose 400 milionë $.
Por “ulja” e taksave për 95% të shqiptarëve nuk mbaron këtu. 60 ditë nga sot që po flasim do ulet edhe një taksë tjetër. Për çdo udhëtim që do bëni drejt Kukësit ose nga Kukësi drejt zonave të tjera të Shqipërisë do paguani 5 euro. Kjo është dhuratë që jua bën Edi Rama me rastin e dhënies me koncension të mirëmbajtjes së rrugës së Kombit.

Premtimi i dytë:
Në 11 shtator 2013 Edi Rama tha: “Jemi zotuar se do të krijojmë 300 mijë vende të reja pune. Do të gdhihemi e ngrysemi në betejën për t’ia dalë dhe jam besimplotë se do t’ia dalim, që Shqipëria e pas katër viteve nga sot, të jetë hapësira e punësimit real jo tuneli i rritjes së papunësisë”.
Vetëm në Tiranë nga aksioni kundër informalitetit në vitin 2015 sipas raportimit të Velinës së Përgjithshme të Tatimeve u mbyllën 40 mijë vende punë kurse në të gjithë Shqipërinë u mbyllën 74 mijë vende pune.
Prej hapësirës së punësimit real, që ekziston vetëm në kokën e Kryeministrit, ja mbathën nga sytë këmbët vitin e kaluar 60 mijë shqiptarë vetë në Gjermani dhe 200 mijë të tjerë aplikuan për në SHBA. Për vitin 2016 Presidenti i Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatët në Gjermani, Manfred Schmidt deklaroi para disa ditësh se:
“Ne kemi një numër shumë të madh azilkërkuesish këtu në Gjermani. Gjatë këtij viti kemi llogaritur që kanë ardhur 450 mijë të tillë. Kryesisht, vendi nga vijnë më së shumti është Siria, por ajo që ne na shqetëson më tepër aktualisht është se vendi i dytë nga vijnë ata është Shqipëria. Për një kohë të shkurtër na kanë ardhur rreth 30 mijë aplikues.
Të njëjtën gjë thonë edhe autoritetet holandeze dhe ato belge që po mbyten nga fluksi i emigrantëve shqiptarë që zënë vendin e dytë pas refugjatëve sirianë.

Premtimi i tretë:
Në 11 shtator 2013 Edi Rama deklaroi: “Jemi zotuar se uji në rubinet dhe në parcelë nuk do të jetë më temë fushate elektorale në vitin 2017. Programi ynë parasheh realizimin e këtij zotimi me etapa të përcaktuara qartë. Unë dua të ndaj me ju sot, bindjen time se në mbylljen e këtij mandati, do të jetë mbyllur edhe odiseja e etjes për ujë të njerëzve e të tokave të këtij vendi”.
Që tokat do kishin ujë që tju thahej etja as që e kam menduar ndonjëherë, por sot që flasim nuk mund të gjej as dhe një ujësjellës të vetëm të ndërtuar nga Edi Rama. Premtimi e gjithë Shqipëria 24 orë ujë brenda mandatit të parë 4-vjeçar, mbetet një gënjeshtër e madhe e Edi Ramës, pasi edhe në Surrel vetëm pak shtëpi kanë 24 orë ujë.

Premtimi i katërt:
Në 11 shtator 2013 Edi Rama deklaroi: “Jemi gati për një transformim të madh në shërbimin doganor dhe tatimor me konsulencën e Agjentëve të Kurorës (Crown Agents). Organizata e famshme britanike do të na asistojë qysh në ditët e para të qeverisjes për t’u dhënë doganave e tatimeve, fytyrën dhe mirësjelljen e Shqipërisë Europiane; për të rritur të ardhurat në buxhet, jo duke tkurrur biznesin me kontrolle të dhunshme e gjoba arbitrare, por duke vendosur rregulla të qarta, të qëndrueshme e të respektuara nga të dyja palët; për të ecur më shpejt drejt shpartallimit të mbretërisë së ryshfetit në dogana e tatime”.
Eshtë e kotë të them se si Agjentët e Kurorës morën nja 20 milionë euro dhe mblodhën më pak të ardhura doganore se sa mblidheshin para se ata të vinin tek ne që t’i jepnin doganave shqiptare fytyrën dhe mirësjelljen e Shqipërisë Europiane sipas vizionit të Kryeministrit.
Vetëm nga rritja e taksave dhe mosmbledhja e tyre, buxhetit i mungojnë rreth 900 milionë dollarë në tre vitet e qeverisjes së Ramës. Mosmbledhja e taksave dhe evazioni fiskal janë në themel të rishikimit në ulje të buxheteve të tre viteve.
Në vitin 2014 buxheti u ul me 7 mld lekë ose 65 mln $. Në vitin 2015 të ardhurat në buxhet u ulën me 36 miliardë lekë ose rreth 350 milionë $ kurse në vitin 2016 buxheti është ulur me 4 miliardë lekë dhe pritet të ulet edhe me 4-6 miliardë lekë të tjera në fund të dhjetorit.

Premtimi i pestë:
Në 11 shtator 2013 Edi Rama deklaroi: “Jemi zotuar se shërbimet nuk do të varen nga xhepi, po nga nevoja. Ne do të themelojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor që do ta blejë shërbimin nga shteti dhe do ta ofrojë atë pastaj pa sigurime shëndetësore e as para në dorë, për të gjithë pa dallim. Shëndetësia falas nuk është një sadaka që bie nga qielli, po një e mirë publike që i ofrohet çdo njeriu në nevojë për kujdes shëndetësor. Debatin a bëhet a s’bëhet, unë jam i gatshëm ta vazhdojmë pas katër vjetësh m’u tek sheshi i Spitalit “Nënë Tereza”, mbi provat e kësaj reforme radikale jo mbi hamendjet e atyre që thonë bëhet apo atyre që thonë s’bëhet”.
Bazuar mbi sa më sipër jemi në pritje që zoti Rama të caktojë datën kur do të debatojë për shëndetësinë falas tek sheshi i spitalit në mënyrë që qytetarët të vijnë ta zenë me vezë sikurse zunë ministrin e tij të Shëndetësisë.
Po ju kujtoj edhe fjalët e një aleati tuaj në qeverisje, i cili para ndonjë muaji shëndetësinë falas e quajti përrallë.
Sigurisht ka edhe njerëz që përfitojnë falas në shëndetësi. Eshtë Vilma që fiton me koncesionet sikurse fiton edhe ajo kioska në Berat, e cila koncensionin e hemodializës prej 86 milionë euro e shiti për 300 mijë dollarë në një rast të pastër rryshfeti. Shpresoj që zoti Braçe që mbahet si “kampion” i luftës ndaj korrupsionit ti drejtohet Prokurorisë dhe të kërkojë të hetohet ky koncesion.
Dhe meqenëse minutat mbaruan, por jo gënjeshtrat e kryeministrit më lejoni zoti kryetar të flas edhe për një të fundit:
Në 11 shtator 2013 Edi Rama deklaroi: “S’desha të mërzis me një fjalim të gjatë publikun që na ndjek me kërshëri. Por megjithatë s’mund të mos rendis më tutje një sërë pikash të rëndësishme të programit tonë: Plani Kombëtar i Transportit do të përmbajë përfundimin e ndërtimit të rrjetit kombëtar të rrugëve, duke përfshirë arterie strategjike si Korridori i Gjelbër Autostradal Veri-Jug; Korridori i Kaltër Veri-Jug dhe Rrugën e “Arbrit”.
Rëndësi të veçantë do të marrin lidhjet me rrjetet rrugore të rajonit të Ballkanit. Do të realizojmë gjithashtu investime në rrugët rajonale, të fshatrave dhe qyteteve me qëllim lidhjen më të mirë të tregut me qendrat e prodhimit”.
Rezultati pas katër vitesh është që as korridor të gjelbër dhe korridor blu, rrugë të “Arbrit”, lidhje me rrjetet rrugore të Ballkanit, rrugë rajonale, rrugë në qytete e fshatra nuk ndërtove po së paku të kishe përfunduar autostradën Tiranë-Elbasan, By Pass-in e Fierit dhe Rrugën Lin-Pogradec të cilat si i gjete ashtu i ke lënë.

Artikulli paraprakPo flet tregu
Artikulli tjetërFaqja e pare