PËSHTYMAT

Nga Agron Tufa

Sallë kinemaje. E mbushur plot. Nuk shfaqet film. Flet sekretari i Partisë. Në sfondin butaforik skuq parrulla: “T’I SHTYPIM KOKËN ARMIKUT TË KLASËS!”.
Për të mos dëgjuar zërin piskatës të sekretarit, ia ngul sytë Irenës, një gjimnaziste e klasës paralele. Nuk ngopem duke e parë. Nuk di sa kohë më ka frymëzuar fytyra e saj për vizatime me laps, për
të shkruar ndonjë varg apo thjesht, pë të ëndërruar me sy hapur. Ia kam ngulur sytë në distancë.
“Armiku fshihet midis nesh”; “Hedh vezët e gjarprit”; “Do t’i diskreditojmë publikisht”…
Befas dëgjoj emrin tim, por unë sytë i kam ngulë te Irena.
– Lirim, ti, bir reaksionari! Dil këtu!
Ndërkohë dy oficerë sigurimi më ngrenë pezull dhe e shoh veten në skenë.
– Ky bir reaksionari i ka të arratisur dhe babain dhe gjyshin, – thotë sekretari, duke më shenjuar me gisht.
Pastaj, me duar në bel, si ata që të bëjnë qepaze, më përvishet:
– Fol, thuaja të vërtetën masave! I dënon ti, babanë e gjyshin tënd? I mohon?
Nuk flas. Ai bën “Ëëëë?” dhe me dorën si hinkë në vesh afrohet drejt meje.
Salla ka heshtur kur unë, me sy të fiksuar pas fytyrës së Irenës, hap gojën e them:
– Epo… nuk jam kopil… Si t’i mohoj!?
Në sallë pështjellohet gjithçka.
– Dilni e pështyjeni armikun! Pështyjeni! Dëgjoni more? Ta pështyni të gjithë këtë surratqen!
I shoh si nguten. Si ngjiten. Si më pështyjnë. Para meje ka qëndruar Irena. Vështrimet tona ndeshen. Nëse më flet, kjo do të jetë hera e parë… në këto rrethana… Befas ajo ngrihet në majë të gishtave,
barazohet me nivelin e syve të mi dhe… më pështyn fort në fytyrë. Madje është e vetmja, që shoqëron pështymën e saj me një fjalë të artikuluar kumbueshëm në rrethin e përsosur të dhëmbëve të saj të dëbortë:
– Re-ak-sio-nar!

Pështymat e tjera s’më bëjnë më përshtypje.

Artikulli paraprakEkonomia e “plehrave”
Artikulli tjetërPrioritetet e gabuara të rrugëve