Pësoi 3 gola, por Berisha ishte më i miri te Atalanta

Etrit Berisha debutoi me Atalantën në këtë sezon të Serisë A, në humbjen e hidhur 3-0 në fushën e Cagliarit. Edhe pse pësoi tri gola, portieri shqiptari ishte më i miri në fushë për bergamaskët.
I tradhtuar nga skuadra, “Titi” bëri aq sa mundi, duke kufizuar dëmet në një humbje që mund të ishte katastrofale. Pa Berishën në portë, Atalanta mund të kishte pësuar pesë, madje edhe gjashtë gola në total.
I aktivizuar prej dëmtimit të Sportiello-s, numri 1 i zikaltërve tregoi se stërvitjet e personalizuara gjatë verës te Lazio, aty ku duhej të kishte luajtur titullar i kanë shërbyer edhe se portieri është në formë mjaft të mirë.
Kuqeziu realizoi të paktën katër pritje me koeficient mjaft të lartë vështirësie, duke provuar të mbante skuadrën e tij në lojë, por paraqitja e dobët e emrave si Paloschi, Konko e Masiello vendosi kapitullimin e Atalantës.
Pas paraqitjes në stadiumin “Sant’Elia” të Sardenjës, Etrit Berisha konfirmoi se zikaltërit mund t’ia besojnë portën. Tashmë, lënia e shqiptarit jashtë formacionit titullar duket tejet e vështirë.

Artikulli paraprakGashi rikthehet në fushë pas lëndimit
Artikulli tjetërLegia shkarkon Besnik Hasin