Petkoviç: Patëm fat, përgëzime Shqipërisë

Trajneri i Zvicrës, Vladimit Petkoviç e pranoi se skuadra e tij ishte me fat që mori tri pikët në sfidën me kuqezinjtë. Gjithsesi, ai konsideron një fitore të merituar në kompleksitetin. “Në fund sigurisht që e merituam fitoren dhe pse në disa momente e vendosëm vetë veten në vështirësi. Duhet t’i kishim shfrytëzuar rastet që krijuam. Më pas ndodhi që me topa të gjatë rrezikuam të ndëshkoheshim. Në fund patëm fat, ishte portieri ynë që na shpëtoi”, u shpreh Petkoviç.
Petkoviç në analizën e tij thekson se Zvicra lëshoi shumë në lojën e saj, por nuk ngurron ta përgëzojë Shqipërinë për grintën që shfaqi në fushë. “Nuk mbajtëm ritmin, nuk vrapuam si në 20-30 minutat e para dhe lejuam kundërshtarët që të dilnin përpara dhe të provonin edhe me goditjet standarde. Edhe në rastin e parë ishin dy lojtarë tanë që duhet ta kontrollinin topin. Sidoqoftë urime Shqipërisë, sepse luajti një ndeshje të mirë, të fortë dhe në fund na bën të vuanim”, tha trajneri i Zvicrës.
I pyetur për dyelin mes vëllezërve Xhaka, Petkoviç u shpreh shkurtimisht. “Vëllezërit Xhaka bënë lojën e tyre, janë lojtarë të ndryshëm, por shumë të rëndësishëm për skuadrat e tyre”, përfundoi trajneri i Zvicrës.

Artikulli paraprakDebutim i hidhur!
Artikulli tjetërBeteja vazhdon!