Petro Marko, “retë dhe gurët” e një jete të refuzuar

Nga Agim Baçi 
Keltët kur shkonin në luftë linin nga një gur një vend të caktuar në të dale të vendbanimit të tyre. Kur ktheheshin nga lufta merrnin gjithsecili gurin e lënë. Gurët që mbeteshin në stivën e ndërtuar në nisje ishin të rënët në betejë…
Për Petro Markon gurët e mëhallës së tij kanë gjithnjë një histori, ndaj mbeten aty, plot krenari, duke pritur “t’i dëgjojmë”. Ndërsa retë, edhe pse mbajnë shumë nga ajo që është ngjitur nga toka, edhe pse sjellin jetë përmes ujit që lëshojnë ngado, mbeten gjithnjë në ikje. Duke përshkruar veten mes gurëve dhe reve, Petro Marko ka mundur të sjellë edhe lëvizjet edhe qëndrimet e tij në jetë, duke kthyer sytë nga “romani që kishte brenda tij”. Dhe gurët “përdorin” dorën e Petros për të thënë shumë, për të goditur larg, drejt asaj që ja vlen gjithmonë.
“Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim dhe zëmërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon të dëftojnë historitë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot. Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re… Vijnë qajnë dhe ikin. Dhe mbi spitharët më poshtë, afër bregut mblidhen lotët e tyre siç mblidhet uji i shiu” (Petro Marko, Intervistë me vetveten “Retë dhe gurët”).
E gjithë jeta e Petro Markos ishte një betejë. Njohjet, lufta, refuzimet dhe dashuritë në heshtje, ishin lumi i nëndhshëm që e mbajti gjallë gjoksin e tij, duke mos u dorëzuar. Shkroi pa fund, dhe u refuzua pa fund. E kur mikesha e tij italiane e këshilloi që “romanin ta shihte tek vetja” ai vendosi të sjellë një rrëfim mes atij që do të mbetej e atij që do të udhëtonte në çdo kohë. Dhe i gjen aty, në ato faqe, fëmijërinë, marrëdhënien me të parët e tij, vajtjen në Luftën e Spanjës, bashkimin me partizanët italianë e më pas edhe përpjekja e pashtershme për të mbijetuar përballë atyre me të cilët nisi bashkëudhëtimin përmes të njëjtit ideal deri sa mbërriti në vetmi. Pikërisht ashtu siç i linte ai sistem të gjithë ata që dinë të mendojnë dhe që luftojnë të mbeten vetvetja.
Petro Marko mbart absurdin e njeriut që e dënoi dhe shpëtoi letërsia. Njeriun që deshi ta sillte përmes romaneve të tij, duke nisur që nga “Hasta la vista” më 1958 me Gorin dhe Anitën, ja refuzuan të parët “shokët e idealit”. E shkuara e përbashkët në ideale gjatë luftës me disa prej atyre që morën pushtetin veçse e ndihmoi të mbetej në këtë jetë. Megjithëse me atë jetë që bëri nuk është aq kuptimplote të themi se “ishte i gjallë”. Mosbotimi apo heqja e së drejtës për botim, burgosja e të birit, Jamarbërit,  e dërgoi drejt prehërit të letërsisë autobiografike.
Petro Marko ishte brezi i Heminguejit dhe Remarkut që përshkruanin te “Lamtumirë armë” apo “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”. Por për të kjo letërsi mbeti thjesht ëndërr pasi iu ndalua nga “shokët e idealeve”, pasi për ish shokët e tij të luftës, i vetmi njeri që pranohej ishte “Njeriu i ri”, njeriu që njihte veç partinë. Ndaj Petro Marko kthen vetveten në personazh, ku jeta që ëndërroi lozi mbi përditshmërinë e tij, duke e kthyer në të refuzuar.
Petro mbeti vetë “një gur rëfimi”, ndaj dhe letërsia e tij, e nisur nga “Retë dhe gurët” është vetëshpjegimi i madh e letrares së tij. Nuk e ka kursyer vetën nga asgjë, sepse ai kurrë nuk pati frikë. Galeria e tij e ngjarjeve dhe emrave është rindërtimi i një jete që përmes letërsisë hartoi edhe vetveten. Ai ishte njëkohësisht shkrimtari dhe personazhi, letrari dhe letrarja.
Stili i Markos është i drejtëpërdrejtë. Ai ishte realist dhe këtë kërkonte edhe nga të tjerët. Madje, ja kërkoi këtë gjë edhe Migjenit, pas takimit me të përpara se të udhëtonte drejt Spanjës, për t’iu bashkuar frontit të luftës. “Ti shkruan errët dhe duhet të shkruash më hapur që të kuptohesh nga lexuesit. Ne duhet të shkruajmë më thjesht” (Petro Marko, “Intervistë me vetveten”, fq.  167).
Ky stil bëri që intervista me vetveten të bëhet pjesë e rëndësishme e romaneve dhe e gjithë prozës së tij, pasi tashmë nuk ish thjesht një personazh, por ishte vetë kryepersonazhi që solli kohën dhe brengat e tij.
Exit mobile version