Pezullimi i fondeve nga SHBA/ Evropianët “blindojnë” SPAK, pas Brukselit edhe Holanda krah Prokurorisë së Posaçme

Pas reagimit nga zyra e BE-së në Tiranë, e cila shprehu mbështetjen e palëkundur ndaj SPAK-ut, ka reaguar edhe Ambasada e Holandës në Tiranë. Ajo ka përforcuar edhe më tepër mbështetjen ndaj Prokurorisë së Posaçme, pas bllokimit të fondeve nga SHBA.

Përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook”, ambasada ka shprehur mbështetjen për SPAK, duke theksuar angazhimin e përhershëm për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri.

Selia diplomatike holandeze thekson se mbështetja realizohet përmes programit MATRA, ndërsa njofton edhe projektin e dytë të zbatuar nga CILC.

Ky projekt thekson ambasada, do të ofrojë mbështetje në hetimet financiare dhe ndarjen e ekspertizës holandeze për të plotësuar më tej praktikat e vendosura të SPAK.

“Holanda, nëpërmjet Programit MATRA, vazhdon të mbështesë SPAK-un në përpjekjet e tij për forcimin e shtetit ligjor. Jemi të lumtur të njoftojmë nisjen e projektit tonë të dytë – të zbatuar nga CILC – i fokusuar në ofrimin e mbështetjes së zgjeruar në hetimet financiare dhe ndarjen e ekspertizës holandeze për të plotësuar më tej praktikat e vendosura të SPAK. Ne e njohim dhe vlerësojmë punën e jashtëzakonshme që ka bërë SPAK dhe me dy projekte në vazhdim, mbetemi të përkushtuar për të forcuar më tej partneritetin tone”, thuhet në reagimin e ambasadës holandeze në Tiranë.

Reagimi vjen pas ndërprerjes së fondve nga SHBA, duke i dërguar një mesazh politikës se nuk  janë vetëm amerikanët që mbështesin SPAK, por ka dhe shumë shtete e organizma të tjera.

Exit mobile version