Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së Florian Sulejmani u paraqit ditën e sotme në Gjykatën e Beratit për verifikimin e masës së “Pezullimit nga Detyra”.
Gjykata e Beratit kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë së Beratit për pezullimin nga detyra të drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani, pasi është nën hetim për shpërdorim detyre lidhur me procedurën e ndjekur në transferimin e oficerëve të policisë gjyqësore, që dyshohet se është kryer në kundërshtim me legjislacionin përkatës.
Sipas prokurorisë, çështja penale në ngarkim të Florian Sulejmanit ka të bëjë me transferimin e vartësve të tij.
Ndërkohë gjatë seanës së sotme, gjyqtari Ilirjan Hysi, pasi qëndroi rreth 1 orë në Dhomën e Këshillimit, vendosi vazhimin e masës së pezullimit nga detyra të kreut të AMP-së.
Gjithashtu ka shpallur moskompetencë territoriale, duke ja kaluar çështjen Gjykatës së Tiranës.
VENDIMI I GJYKATËS BERAT
Bazuar në nenet 228, 229, 242, 248 të Kodit të Procedurës Penale dhe neni 248 i Kodit Penal,
VENDOSI:
- Vazhdimin e masës së sigurimit personal ndalues të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim Florian Sulejmani, i datëlindjes 20.12.1977, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
- Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat dhe Policia Gjyqësore Berat të zbatojë këtë vendim.
- Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
- Kundër këtij vendimi (i cili sipas nenit 248 i KPP do të depozitohet i arsyetuar brenda 48 orëve) lejohet të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, afat ky që fillon nga e nesërmja e ditës së njoftimit të këtij vendimi.
- Shpalljen e moskompetencës tokësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, në lidhje me çështjen penale me Nr. 179 Regj. Them, Dt.Regj.Them 17.04.2025.
- Dërgimin e akteve Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë si gjykatë kompetente tokësore për gjykimin e kësaj çështjeje.
U shpall në Berat, datë 21.04.2025!