Pikat kryesore të programit ekonomik të PD Euroatlantike/ Pse shqiptarët duhet të shikojnë ekonominë në zgjedhjet 2025

Nga Gjergji Nika

Në dilemën e kutisë së votimit, amerikanët në 4 nëntor zgjodhën. Dhe ata zgjodhën atë që u premtoi atyre një perspektivë ekonomike, edhe pse nuk ka ende ndonjë siguri nga askush se Trump do të ulë inflacionin dhe varfërinë dhe shtrenjtësinë.

Por fakti është se dy të tretat (67%) e votuesve amerikanë ishin të pakënaqur me realitetin aktual, dhe kjo u dëshmua me votë.
Pavarësisht papunësisë historikisht të ulët, vetëm 32% e vlerësuan ekonominë si të shkëlqyer ose të mirë. Dhe kjo doli të ishte thelbësore për rezultatin.
Ndër ata që e përshkruan ekonominë si të keqe, 69% votuan për Trump.

Donald Trump, pavarësisht analizave parazgjedhore të anketuesve për një derbi elektoral, pa përqindjet e tij të rriteshin në të gjitha grupet demografike dhe në të gjitha shtresat ekonomike e sociale, por edhe te burrat dhe gratë.
Zgjedhja e Trump tregoi se sa të zemëruar janë qytetarët amerikanë për koston e lartë të jetesës dhe çmimet e larta.

Fakti është që amerikanët po shpenzojnë shumë më tepër tani sesa kur Joe Biden mori detyrën.
Çdo muaj, një familje mesatare amerikane shpenzon 1,120 dollarë më shumë se në janar 2021 për të blerë të njëjtat mallra dhe shërbime, sipas Moody’s Analytics.
Trump “e ngjyrosi” hartën e Amerikës me të kuqe sepse “lexoi” shoqërinë, ndryshe nga Kamala Harris dhe demokratët që investuan në një narrativë të rreme që tregonte për demokracinë, “të drejtat e komuniteteve” dhe “kërcënimin” e Trump për të gjithë.

Po në Shqipëri për çfarë kemi nevojë?
Për demokraci? Për stabilitet?
Për të përmbysur establishmentin 34 vjeçar?
Për një ekonomi të fortë e të qëndrueshme?
Për të luftuar korrupsionin?
Për paqe sociale e drejtësi?
Për arsim e shëndetësi cilësore?
PO! Ne kemi nevojë për të gjitha këto!

Dhe këtyre nevojave që ka Shqipëria e shqiptarët më mirë se kushdo u përgjigjet programi qeverisës që u prezantua nga Kryetari Basha në 1 qershor.
Asnjë subjekt tjeter politik nuk shkon ne zgjedhjet e 2025 me program të mirëfilltë ekonomik.
Një program realist, i cili në pikat kryesore ka ekonominë, biznesin dhe njerëzit, paqen, demokracinë, drejtësinë e stabilitetin.
Po sjell në vëmendjen tuaj disa nga pikat kryesore të programit.

TAKSË E SHESHTË 9%- Tatim fitimi 9% Profesionet e lira 9% Tatim për të ardhurat personale 9% Dividenti me taksën e sheshtë 9% – (aktualisht ajo që sot qytetaret paguajnë eshte 23%.)

REFORMA E PRONËS- Kthim i menjëhershëm i pronës aty ku është e lirë; Kompensim me vlerë tregu ku është zënë; Lëshimi i obligacionit/ bonove nga shteti, që paguhen çdo vit me 1/20 e vlerës; Regjistrim i pronave me parimin Uti Posidetis.

MBËSHTETJE PËR FAMILJET FERMERE- Çdo vit do të akordohen 100 milionë € subvencion direkt për bujqësinë dhe blegtorinë; 50 milionë € në infrastrukturë, për mbështetje të drejtëpërdrejtë (Përfitues 150 mijë fermerë)

RRITJE E PENSIONEVE – Bonus periodik dhe pensioni me i ulët sa paga minimale.
STATUSI I TË PËRNDJEKURIT Me vlerë monetare të barabartë me statusin e ish-ushtarakut.

GJYKATA E AUDITIT – Shteti merr përsipër të zerojë çdo detyrim të qytetarëve në problematikat me natyrë administrative në raport me institucionet e shtetit.
NJËSIA E ZBULIMIT TË PASURISË SË VJEDHUR sipas KLSH qe prej 2013 deri sot abuzimet jane mbi 15 Miliard Euro nga buxheti i shtetit.

Të vështira për t’u realizuar?
Jo, në rast se ekziston dëshira e vullneti politik, në rast se vlerësohen burimet njerëzore dhe lexohet shoqëria dhe kërkesat e saj imperative.
Dhe në zgjedhjet e 2025-ës, shqiptarët duhet të votojnë me realizëm, duke vendosur interesin e tyre ekonomik e social, stabilitetin e demokracinë përballë retorikës regresive, agresive e boshe të Trekëndëshit të Bermudës!

Artikulli paraprakA e kemi guximin të pohojmë, pas shumë hapave, se mund të kemi gabuar dhe se ja vlen të rifillojmë sërish?
Artikulli tjetërE keni ditur? Ja çfarë do të thotë për mushkëritë tuaja nëse mbani frymën 1 minutë