Pikëpyetje mbi kontratën 5 miliardë USD për Portin e Karpenit

Një projekt i qeverisë shqiptare për realizimin e një porti gjigant në Karpen të Kavajës me vlerë investimi 5 mld dollarë ka hasur sot në skepticizmin e deputetëve të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, të cilët kanë shqyrtuar projektligjin “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Portit të Karpenit, zonës mbështetëse të Portit dhe asaj ekonomike”. Namik Kopliku, deputet i Partisë Socialiste tha se ky është vendi më i përshtatshëm në Mesdhe. Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi sqaroi se shohin si një pozicion strategjik, që mund të lidhet me Roterdamin dhe Kanalin e Suezit. Deputetët kanë shprehur shqetësimin edhe lidhur me faktin që kompania aplikuese është e panjohur dhe ka një kapital minimal. “Vetë kompania aplikuese ka një kapital prej 100 stërlinash”, deklaroi deputeti i PD, Helidon Bushati. Ministrja Ekonomi sqaroi sërish se, “‘Starbridge Poor Development LTD’ shërben si kompani që mikson disa investitorë, ndërsa investitorët realë janë shoqëri të njohura si ‘William Blair’, apo ‘Icon Capital’. Ajo iu përgjigj interesimit të deputetit Eduard Shalsi për angazhimin e kompanive në Konsorcium se “‘William Blair’ është angazhuar me memorandumin e saj, me SPV-në që e ka të regjistruar në Uells dhe e vlerësoi si pozitiv këtë projekt. Diskutimet e deputetëve u fokusuan në disa çështje që lidhen me përmbajtjen e projektit, të tilla si: profili financiar i kompanive që bëjnë pjesë në konsorcium; garancitë financiare që ato paraqesin për realizimin e projektit; kapacitetet përpunuese të portit; ndikimi që do të ketë ndërtimi i portit në mjedisin e zonës së Karpenit; si do të ri dimensionohen portet ekzistuese si ai i Durrësit dhe i Vlorës, pas ndërtimit të portit të ri; deri në çfarë mase do të jetë raporti i investimeve që do të kryhen nga shteti shqiptar dhe nga investitori; si do të përshtatet infrastruktura lokale në funksion të këtij projekti, etj. Projekti parashikon një investim 5 miliardë dollarë në një periudhë 5-10 vjet, investimin në një port të thellë që mundëson hyrjen e anijeve tregtare, zonë ekonomike dhe logjistike dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi LNG dhe një centrali për prodhim energjie (central energjie me gaz ose biomasë), duke mundësuar hapjen e 70 mijë vendeve pune. Sipas projektligjit afati për negocim i një kontrate 5 miliardë USD është vetëm 60 ditë dhe më pas 10 ditë kohë për miratim, ndërkohë që në projekt flitet për zhvendosje njerëzish dhe numëroheshin 220 prona (banesa, ndërtesa të braktisura, ferma, një stacion karburanti i braktisur dhe disa cisterna karburanti)

Projekti, sipas relacionit

Sipas relacionit, ky projektligj ka për qëllim përcaktimin e një procedure të veçantë, për negocimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited” për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike. “Star Bridge Port Developments Limited” është një subjekt për qëllime të veçanta, i regjistruar në Angli dhe Uells dhe i përbërë nga kompani prestigjoze në fushën e projektimit dhe ndërtimit të porteve, arkitekturës dhe konsulencës për projektet e porteve e më gjerë, të tilla si AECOM, SFTA, Ramboll, RVT Architects, Summa. Kjo kompani nuk është e regjistruar si subjekt i ligjit shqiptar, pasi në këtë fazë nuk është detyrim ligjor. Kompania do të regjistrohet pas nënshkrimit të kontratës. Nga një vlerësim i dokumentacionit del qartazi serioziteti i këtij grupi shoqërish për realizimin e projektit, por duke qenë se në këtë fazë nuk kanë asnjë siguri nga shteti shqiptar se ky projekt do të pranohet, kompanitë janë në fazë diskutimi me investitorë të ndryshëm për realizimin e projektit. Projektpropozimi parashikon se do të ofrohet garanci financiare prej 5 milionë USD, për performancën e kompanisë në realizimin e projektit sipas afateve. Megjithatë, dokumente të mëtejshme do t’i kërkohen operatorit nga KNK-ja. Bazuar në ligjin nr.55, datë 28.5.2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, së bashku me ministritë e linjës, përkatësisht Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij projekti, kanë marrë iniciativën e përcaktimit të një procedure të veçantë me qëllim mundësimin e realizimit në një kohë të shpejtë dhe në mënyrë efiçente për negociimin dhe lidhjen e kontratës për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited”. Nga një vlerësim paraprak i projektit “Morgan” i paraqitur nga aleanca e kompanive të mirënjohura në fushën e projektimit, ndërtimit dhe operimit të porteve strategjike në botë, të përfaqësuara nga subjekti për qëllime të veçanta “Star Bridge Port Developments Limited”, propozimi i sjellë përbën një investim strategjik, i pari i këtyre përmasave në Shqipëri dhe një mundësi unike zhvillimi si për zonën ku është menduar të realizohet, edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit. Projekti “Morgan”, parashikon ndërtimin e një porti me thellësi të madhe në zonën e Karpen, Kavajë, të ambienteve mbështetëse të portit, të shoqëruar me një zonë të lirë tregtare, si dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe një centrali për prodhim energjie, përkatësisht: Projekti “Deep Water Port” – Porti detar me thellësi të madhe; Projekti “Port Centric Logistics and Enterprise Zone” – Zona ekonomike. Ky projekt përfaqëson një investim në total prej 5 miliardë USD për një periudhë 5-10 vjet. Porti propozohet të ndërtohet në zonën e Karpenit, për të lejuar hyrjen e anijeve të mëdha tregtare, që kanë nevojë për thellësi prej 20 m. Për realizimin e qëllimit të këtij porti, është e domosdoshme të ndërtohen edhe zona ekonomike, e cila në përfundim të projektit është parashikuar të këtë një shtrirje prej1700 ha. Zona e portit parashikohet të përbëhet nga ambientet mbështetëse të portit (magazina, terminale, qendër logjistike), nga një zonë e re banimi pranë kompleksit, një serë me teknologji të lartë dhe akademi sporti. Gjithashtu, parashikohet ndërtimi edhe i një terminali rigazifikimi LNG dhe një centrali për prodhim energjie (central energjie me gaz ose biomasë). Asnjë port në Detin Mesdhe nuk i ka mundësitë për të pritur në mol anijet e gjeneratës së fundit post-Panamax, të cilat janë anijet kargo që përdoren sot nga industria moderne e transportit detar. Disa porte i presin këto anije në ankorazhe me bova larg dokut, por kjo gjë krijon problematika logjistike dhe operacionale që rezultojnë në ineficenca gjatë proceseve të ngarkimit dhe shkarkimit.

Pse u përzgjodh Karpeni?

Karpeni është zgjedhur, pasi Porti i Durrësit nuk i ka kapacitetet dhe nuk ka mundësi zgjerimi për kargo. Zhvillimi i një porti të ri pranë Durrësit preferohet, pasi shumica e investimeve të huaja ndodhen afër zonës Tiranë-Durrës dhe një port ekzistues në Durrës nevojitet për elementet mbështetëse që ai ofron, si krahu i punës, shoqëritë e transportit, agjentët e anijeve etj., të cilët janë tashmë të atashuar në atë zonë. Për më tepër, Karpeni është i lidhur me rrugët kryesore (SH4) – që i shërben Durrësit, por edhe Fierit, ku ndodhet dhe stacioni terminal i TAP-it. Rafineria e naftës në Ballsh dhe burime të tjera të gazit që ndodhen aty pranë, janë një tjetër avantazh i kësaj zone. Ky projektpropozim është në përputhje edhe me kontrata të tjera koncesionare që ka lidhur qeveria shqiptare, pasi Karpeni shtrihet në një zonë jashtë gjirit të Durrësit. Projekti synon që duke ndërtuar një port të ri, modern, të thellë, të shoqëruar me një park ekonomik, do të bëhet i domosdoshëm për shumë nga vendet evropiane të Mesdheut dhe për zhvillimin e ardhshëm të shumë vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Qendrore dhe Lindore pa dalje në det, duke arritur kështu edhe një transit më ekonomik të mallrave. Projektligji shoqërohet me një plan të zhvillimit të projektit, i cili propozohet të ndërtohet sipas fazave të mëposhtme: Ndërtimi do të fillojë ndërmjet muajit të 12-16. Faza e ndërtimit do të marrë 5-6 vjet, por porti do të bëhet operacional brenda kësaj periudhe. Projektligji ka të parashikuar edhe ndërtimin e një zone ekonomike. Kjo zonë do të përmbajë ambiente mbështetëse të portit (magazina, terminal etj.), si dhe një zonë industriale, tregtare dhe një zonë rezidenciale pranë kompleksit. Për vijueshmërinë e operacioneve tregtare dhe industriale projekti parashikon edhe ndërtimin e një centrali të ri për prodhimin e energjisë në Karpen, së bashku me zhvillimin e një zinxhiri furnizimi me energji të shumëllojshme, të tillë si një terminal rigazifikimi me gaz natyror të lëngshëm, për t’i shërbyer nevojave më të gjera të vendit dhe rajonit të Ballkanit. Portit dhe zonës ekonomike që do të ndërtohet u nevojiten afërsisht 120-130 MW. Sipas parashikimeve të projektpropozimit, sasia e prodhuar e energjisë që tejkalon nevojat e zonës së portit, do të tregtohet brenda vendit ose do të eksportohet në vendet e rajonit, sipas kontratave bilaterale që investitori mund të nënshkruajë me palët e interesuara. Nëse këto kontrata lidhen, prodhimi nga ky central do të rritet afërsisht në 1200 MW, çka do të sjellë kërkesën e një terminali rigazifikimi LNG. Propozimi aktual për ndërtimin e ambienteve mbështetëse të portit dhe zonës rezidenciale është parashikuar të këtë një shtrirje prej 750 ha, me parashikim për t’u zgjeruar me 450 ha brenda 12 muajve, si dhe 500 ha shtesë brenda 5 vjetëve. Në total, parashikohet që zona të shtrihet në 1700 ha. Projekti parashikon disa alternativa për ristrehimin dhe shpërblimin e pronarëve të tokave ku do të realizohet zona ekonomike. Sipas propozimit, në zonën ekonomike janë regjistruar një total prej 220 strukturash (banesa, ndërtesa të braktisura, ferma, një stacion karburanti i braktisur dhe disa cisterna karburanti). Alternativat e propozuara përfshijnë ndërtimin e një sere moderne me teknologji të lartë për të rritur produktivitetin e fermerëve ekzistues, duke siguaruar fitim neto vjetor më të lartë se ai që fitojnë aktualisht, trajnim dhe punësim në zonën ekonomike, ose kompesim për tokën e tyre sipas vlerës së tregut. Të gjithë rezidentëve do t’u ofrohet një akomodim alternativ i përshtatshëm, me cilësi më të mirë se pasuritë e tyre ekzistuese. Ky është një projekt domethënës për ekonominë shqiptare. Përveçse do të jetë një katalizator për rritjen ekonomike, niveli i investimit është i tillë që do të ketë menjëherë një impakt të dukshëm në performancën ekonomike shqiptare. Vetëm faza e ndërtimit do të sjellë një investim vjetor të barabartë me 57% të PBB-së çdo vit, dhe 6 200 vende pune. Në përfundim të realizimit të projektit, parashikohet të gjenerohen 70 100 vende pune për ekonominë shqiptare, që përfaqësojnë një rritje të nivelit të punësimit me 6.4%. Për të gjitha sa parashtruam më sipër, në lidhje me përfitimet që përfaqëson realizimi i këtij projekti për ekonominë shqiptare dhe punësimin që do të gjenerojë, si dhe për të qenë transparentë në këtë proces, kërkojmë nga Kuvendi tagrin/autorizimin për fillimin e negocimit të kontratës për realizimin e këtij projekti. Procedura e negociimit për lidhjen e kontratës do të ndiqet nga Komisioni i Negociimit të Kontratës, i kryesuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Trasportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, me anëtarë, përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokaturës së Shtetit. Komisioni i Negociimit të Kontratës do të asistohet nga një konsulent i huaj, i cili do të bëjë “due diligence” ligjore dhe financiare të propozimit të paraqitur dhe kontratës që do të lidhet. Përzgjedhja e konsulentit do të bëhet nga Avokatura e Shtetit në përputhje me Vendimin Nr.392, datë 8.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores, “Për marrëdhëniet e Avokaturës së Shtetit me institucionet shtetërore dhe entet publike, rolin e avokatëve të shtetit në gjykim, si dhe normat e posaçme procedurale”, thuhet në relacion.

Exit mobile version