Pikëpyetjet e arrestimit të Haradinajt

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, vazhdon të mbahet në paraburgim në qytetin Colmar në Francën Lindore. Zoti Haradinaj u arrestua javën e kaluar bazuar në një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga qeveria e Serbisë. Ndalimi i tij nga autoritetet franceze ka ngritur një sërë pikëpyetjesh për anën ligjore të këtij rasti. Ne do të përpiqemi të sqarojmë disa prej çështjeve me doktoren e shkencave juridike, Rudina Jasini, eksperte e së drejtës penale ndërkombëtare. Ajo ka qenë njëkohësisht në grupin e avokatëve të zotit Haradinaj që bëri mbrojtjen e tij në Gjykatën e Hagës, në vitin 2004. Zonja Jasini ndodhej në studion e “Zërit të Amerikës” në Londër.

– Zonja Jasini, në mendimin tuaj, a duhej ta kishin ndaluar zotin Haradinaj autoritetet franceze? A mund ta injoronin ato urdhërarrestin e Interpolit?
Arrestimi i Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze ka ngritur disa pyetje në kuadrin juridiko-ligjor dhe në kuadrin politiko-diplomatik. Akuzat për të cilat është dhënë urdhri i arrestit në vitin 2004, janë të përmbledhura në akuzat mbi të cilat tribunali i OKB-së për ish-Jugosllavinë është shprehur qartë në dy procese: në të parin, atë të gjykimit dhe në procesin e rigjykimit. Në të dyja proceset tribunali është shprehur shumë bindshëm mbi pafajësinë e Haradinajt dhe dy të akuzuarve të tjerë.

– Zoti Haradinaj është gjykuar nga Haga (siç e thatë edhe ju), a është ky argumenti kryesor i avokatëve të tij mbrojtës? A ekziston mundësia që të ketë akuza të reja të ngritura nga autoritetet franceze mbi të cilat zoti Haradinaj mund të ekstradohet?
Në një deklaratë që ka bërë kryeministri i Serbisë lidhur me arrestimin e Ramush Haradinajt përpara pak ditësh, ai është shprehur se bëhet fjalë për një numër akuzash, të cilat nuk ia vlen as të numërohen, duke përfshirë këtu edhe akuzat e ngritura mbi veprimet në Glogjan dhe liqenin e Radoniqit. Për ata që e kanë njohur çështjen Haradinaj në tribunalin e OKB-së, kanë qenë pikërisht këto akuza që kanë përbërë thelbin e gjykimit dhe të rigjykimit. Por është e rëndësishmë të diskutohet nëse ky ndalim nga autoritetet franceze është bërë mbi bazën e disa zbulimeve të reja apo është bërë tërësisht mbi bazën e urdhrit të arrestit të lëshuar në vitin 2004.

– Cilat janë sipas jush alternativat e mundshme para drejtësisë franceze?
Këtë të enjte, Gjykata e Apelit në Colmar të Francës do të ketë një seancë dëgjimore lidhur me çështjen e arrestimit, por gjithashtu do të shqyrtojë edhe nëse ekzistojnë argumente të fuqishme për ekstradimin. Jam e bindur se nëse Haradinaj gjykohet mbi aktakuzën e lëshuar në vitin 2004, atëherë ai nuk ka se si të ekstradohet. Por nëse do të gjykohet mbi bazën e disa të dhënave të tjera për të cilat ne nuk mund të kemi dijeni, atëherë mbetet për t’u parë se çfarë do të vlerësohet në seancën dëgjimore të enjten.

– A mendoni se kemi të bëjmë thjesht me një procedurë teknike të Interpolit apo edhe me përfshirjen e faktorëve politiko-diplomatikë në rastin e arrestimit të një ish-kryeminsitri të Kosovës?
Përse ky urdhër arresti u ekzekutua në vitin 2017? Nga viti 2012, kur Ramush Haradinaj është shpallur i pafajshëm në procesin e rigjykimit të tribunalit të OKB-së e deri më sot ai ka udhëtuar në Francë dhe në vende të tjera të BE-së si individ i lirë.
Atëherë nëse bëhet fjalë për një procedurë tërësisht teknike, Interpoli duket të përgjigjet përse ky urdhër nuk është ekzekutuar sa herë që ai ka hyrë dhe ka dalë nëpër aeroportet apo pikat kufitare të BE-së. Pa diskutim që na lind një pyetje e natyrshme, që një motivim politik, i është dhënë mbase një sinjal dhe një mesazh i përcaktuar qartë Kosovës dhe lidershipit dhe qeverisë së shtetit të Kosovës.

– A mendoni se qeveria e Kosovës, duhej të kishte bërë më tepër në bisedimet e saj me Serbinë për çështjen e urdhërarresteve që Beogradi ka lëshuar për ish-luftëtarët e UÇK-së që akuzohen për krime lufte?
Duke patur parasysh që Kosova nuk është anëtare e Interpolit, është e rëndësishme të kuptohet që e vetmja mënyrë për të marrë informacion konkret mund të ishte nëpërmjet bisedimeve. Duke qenë se qeveria e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë në negociata me shtetin serb lidhur me marrëveshje për BE-në, si edhe negociata për marrëveshje të ndryshme, atëherë do të ishte shumë e rëndësishme të përcaktohej se cilat janë ata individë për të cilët ekziston një urdhër arresti lidhur me liderët e UÇK-së, por edhe qytetarët e tjerë të Kosovës. Dhe mbetet për t’u mësuar nëse autoritetet e shtetit të Kosovës kanë marrë ndonjë informacion konkret në lidhje me urdhrat e arrestit që ekzistojnë në Interpol të lëshuar nga autoritetet serbe.

Exit mobile version