Ish-ministri i Brendshëm njeriu më i kërkuar nga Prokuroria për t’u arrestuar si pjesë e organizatës kriminale të Habilajve është larguar dje në drejtim të Gjermanisë. Ai ka thënë se do të rikthehet gjatë ditës së sotme dhe kjo mbetet për tu parë, por disa pytej mund të ngrihen në lidhje me këtë largim. Pyetja e parë cili është motive i kësaj vizite urgjente të tahirit në Gjermani. Sipas burimeve konfidenciale, Gjermania bashkë me Italinë janë dy vendet në Europë më të nervozuara për lidhjet e mafias me qeverinë. Kë takoi Tahiri në Gjermani? A ka lidhje ky largim i Tahirit drejt Gjermanisë me hetimet që po zhvillon Prokuroria dhe Antimafia italiane? A është në dijeni të kësaj vizite në Gjermani, kreu i qeverisë, i cili dje ka heshtur? Po Prokuroria a është lajmëruar për këtë largim nga Shqipëria të njeriut nën hetim?
Bëhet e ditur se, Tahiri ka udhëtuar ditën e djeshme drejt Gjermanisë, vend anëtar i hapësirës Shengen. Burime konfidenciale konfirmuan lajmin për “Top Channel”, ndërsa avokati i tij Maks Haxhia ka deklaruar se, Tahiri ka udhëtuar në cilësinë e një njeriu të lirë. Disa burime të tjera, shtojnë se arsyet janë familjare, por kjo dalje jashtë Shqipërisë e deputetit Tahiri ngre pikëpyetje për motivet.
Pas publikimit të lajmit për ikjen jashtë shtetit, Tahiri ka deklaruar për mediast se, ka shkuar në Gjermani për të vizituar një nga prindërit i shtruar në një klinikë të këtij vendi. Tahiri u shpreh se do të kthehet ditën e shtunë sërish nëpërmjet Aeroportit të Rinasit.
Udhëtimi i Tahirit jashtë Shqipërisë vjen në një kohë, kur ai është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si i implikuar në trafikun e drogës me bandën e Habilajve, si dhe ka heshtur gjatë për gjetjen e dy patentave të tij për mjete lundrimi në makinën e Orest Sotës. Tahiri një ditë më parë mungoi në Parlament, ku emri i tij ridoli në skenë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi heqjen e imunitetit për deputetin e PS, Saimir Tahiri, pasi kishin prova në përfshirjen e tij në trafikun e drogës me Habilajt dhe ai mund të largohej jashtë shtetit, por Rama urdhëroi deputetët socialistë që të votonin kundër heqjes së imunitetit. Me largimin e Tahirit jashtë shtetit, dyshimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda u faktuan.
Prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit
Prokuroria e Krimeve të Rënda argumentoi në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, kërkesën e heqjes së mandatit dhe arrestimin e deputetit të PS, Saimir Tahiri. Sipas kërkesës së depozituar nga Prokuroria në Kuvend dhe vetë deklaratave të prokurorëve në mbledhjen e këtij Këshilli, ka dyshime të arsyeshme se deputeti Saimir Tahiri mund të largohet jashtë shtetit për akuzat që rëndojnë mbi të. Prokurorët e çështjes argumentuan në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka kryer veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal”, si dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit u bazua nga materiali i referuar nga partnerët italianë, që implikojnë ministrin Tahiri në trafik droge. Prokuroria referoi gjithashtu regjistrat e TIMS të cilat, sipas tyre, tregojnë se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi ka shitur makinën tek Artan Habilaj, e ka ripërdorur këtë makinë disa herë për të udhëtuar jashtë kufijve. Madje, në njërin prej rasteve, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ishte vetë Artan Habilaj, ai që udhëtoi me makinën në fjalë drejt Greqisë, për t’u kthyer me të njëjtën makinë vetë ministri i Brendshëm, Tahiri.
Rama nuk lejoi t’i hiqej imuniteti
Megjithëse, Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti provat ndaj Tahirit për implikim në trafikun e drogës me bandën e Habilajve, Rama urdhëroi deputetët e tij që të votonin kundër heqjes së imunitetit të Tahirit. Deputetët socialistë, anëtarë të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit votuan kundër heqjes së imunitetit për deputetin Tahiri.
Rama u shpreh më pas se, Saimir Tahirit i ishte ndaluar lëvizja jashtë shtetit. Në një intervistë tek ‘Zonë e Lirë’, Rama u shpreh se, “një ndër kërkesat që PS i plotësoi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, përveç kontrollit të banesës dhe vijimit të hetimeve, ishte edhe ndalimi i lëvizjes jashtë vendit”. Por me ikjen e Tahirit jashtë shtetit ditën e djeshme, kjo kërkesë e organit të akuzës është shkelur.
R.POLISI