Sulmi i paprecedent i ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit kundër gjykatësit që vendosi pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë po jep efektet e saj edhe në Gjykatën e Apelit që do të shqyrtojë pak ditë më vonë këtë çështje.
Ervin Metalla, gjyqtar në Apelin e Tiranës, i cili në bazë të shortit është përcaktuar si relator i çështjes që do të shqyrtojë masën ndaluese të Haki Çakos, ditën e enjte është detyruar të marrë një raport shëndetësor disa ditor. Burime të “Boldnews.al” flasin me siguri se mungesa e Metallës do të jetë e mjaftueshme që ai të mos jetë i pranishëm në seancën për masën ndaj drejtorit të pezulluar të Policisë së Shtetit.
Pas agresionit disa ditor qeveritar nga ana e eksponentëve më të lartë qeveritarë kundër Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, tashmë objektiv i sulmeve dhe spekulimeve është Gjykata e Apelit. Për opinionistë dhe rrethe mediatike është e qartë se ky sulm lidhet vetëm me presionin qeveritar ndaj treshes së gjyqtarëve të Apelit që do të shqyrtojë ankimin e Çakos për masën e pezullimit nga detyra.
Dita e enjte ka qenë tejet e ngarkuar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Fillimisht, media pranë qeverisë raportuan për një incident fizik ndërmjet kryetarit të saj, Hysni Demiraj dhe një qytetari. Sipas informacionit “konfidencial” të këtyre mediave, Demiraj është përplasur me një palë në gjyq, duke aluduar se bëhej fjalë për një situatë korrupsioni. Për të mbështetur më shumë këtë spekulim, Policia e Shtetit shpërndan në mesditë njoftimin mbi kallëzimin e një shtetasi, i cili pretendon se është goditur nga Demiraj. Ky përbën një nga ato rastet e rralla, në mos unike, kur policia publikon zyrtarisht kallëzimet. Në çdo ditë të vitit, pranë komisariateve dorëzohen me dhjetëra kallëzime për çështje të ndryshme, të cilat nuk janë pjesë e planit të transparencës. Por në rastin e kreut të Apelit të Tiranës, Demiraj, Policia e Shtetit e vlerësoi ta bëjë publike. Dhe ky publikim koinçidon me deklaratat e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, se do të punojë çdo ditë për të çjerrë maskën, sipas tij, të sistemit të korruptuar të drejtësisë.
Mesditën e së enjtes, Hysni Demiraj u detyrua të japë një konferencë për mediat për të sqaruar pozicionin e tij në këtë kallëzim. Por, më shumë se sa sqarim, Demiraj prezantoi një demonstrim force, ku iu drejtua zyrtarëve qeveritarë që nuk trembet nga asgjë. Dhe për të dëshmuar këtë gjë, ai tregoi historinë personale se si në trazirat e vitit 1997 ai ka mbrojtur me armë godinën dhe arkivën e Gjykatës së Gjirokastrës.
Por, ky demonstrim force nga ana e Demirajt, duket se nuk ka qenë në të njëjtën gjatësi vale me opinionin e gjyqtarit të Apelit, Ervin Metalla.
E gjithë kjo ndërhyrje dhe presion i mundshëm nëse nuk vepron sipas interesit qeveritar, e kanë detyruar gjyqtarit që të kërkojë pushim për arsye shëndetësore. Ervin Metalla është paraqitur pasditen e djeshme në një spital privat dhe pasi ka bërë disa ekzaminime, ka marrë raport shëndetësor 10-ditor. Pra, ligjërisht relatori i çështjes, nuk do të marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor.
Pas kësaj “fitoreje”, mekanizmi qeveritar po punon të ushtrojë presion mbi dy anëtarët e tjerë të trupës gjyqësore të Apelit, gjyqtareve Maria Qiriazi dhe Fiqerete Mullai.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij tipike të gjatë në Parlament ditën e enjte, duke sulmuar politikisht opozitën, përmendi shkarazi edhe një situatë ku përfshihet gjyqtarja Qiriazi. Rama, duke folur për Reformën në Drejtësi, u tha deputetëve të opozitës se, “reforma e pritshme do të largonte nga sistemi ata gjyqtarëve që mbrohen prej jush (opozitës) dhe ju nuk do të jeni në gjendje të mbroni më ata gjyqtarë që ju kanë ndihmuar, si në rastin e fitores së Bashkisë së Tiranës në vitin 2011 nga Lulzim Basha”.
Kjo frazë nuk ka lidhje me shijen e hidhur që i ka lënë Ramës humbja përballë kryetarit të Partisë Demokratike në vitin 2011. Ajo ka të bëjë me faktin se humbja e Ramës u çertifikua pas një beteje ligjore në Kolegjin Zgjedhor, ku gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Maria Qiriazi, ishte pjesë e trupës gjyqësore në atë kohë. Pra, gjyqtarja Qiriazi e ka marrë nga Parlamenti mesazhin se, nëse nuk do t’i përgjigjet “interesit” qeveritar në çështjen “Çako”, ajo mund të jetë objekti i radhës së sulmit nga Kryeministri, ministri i Brendshëm dhe kushdo tjetër në krahun pushtetit.
Tani radha është e gjyqtares tjetër, Fiqerete Mullai. Deri më tani, nuk ka ndonjë sulm publik ndaj saj. Deri në ditën e procesit gjyqësor në Apel, do të kuptohet nëse gjyqtarja Mullai është pjesë e “interesit” qeveritar ose jo. Nëse nuk do të jetë pjesë e kompromisit me Kryeministrin, nuk do të jetë aspak surprizë që ndaj saj të fillojë agresioni verbal.
“Boldnews”