Piktorja nga Librazhdi, Bardha Alimeta çel në Tiranë ekspozitën e saj të katërt

Piktorja Bardha Alimeta çeli dje ekspozitën e saj të katërt në ambientet e jashtme të Presidencës. Ekspozita u ndoq me mjaft interes nga dhejtëra artistë dhe artdashës, ku nuk munguan edhe ata nga Kosova.

Presidneti Ilir Meta u shpreh gjatë fjalës së tij se, Bardha Alimeta, e cila gjithashtu është edhe një aktiviste e palodhur e mbrojtjes së të drejtave të gruas dhe fuqizimit të rolit të saj në shoqërinë shqiptare.

“Sfidat e grave janë të shumta, nga vështirësitë e mëdha në tregun e punës në pabarazinë në paga, nga dhuna në familje në paragjykimet shoqërore, nga diskriminimi gjinor në mungesën e barazisë në pjesëmarrjen dhe përfaqësimin politik.

Këto problematika bëhen akoma më të mprehta në zonat rurale apo në qytetet modeste të Shqipërisë.

Me shoqatën e saj ‘Një grua ndryshe’, Bardha ka bërë shumë për zgjidhjen e problemeve sociale të grave në qytetin e Librazhdit, duke i nxitur ato të kenë besim në vetvete dhe të luftojnë fort për atë, që duan të realizojnë në jetë.

Mes shumë përpjekjesh, sfidash e barrierash me ekspozitës e Bardha Alimetës na jep shembullin më të mirë se puna, pasioni, përkushtimi dhe dashuria për gjërat që i do fort, bëjnë të mundur çdo sukses në jetë për çdo grua dhe vajzë shqiptare”, u shpreh ndër të tjera Meta.

Piktori Buron Kaceli vlerësoi piktoren Bardha Alimeta për artin e saj. Kaceli u shpreh se, është një ekspozitë që përfshin shumë piktura me tematika nga më të ndryshmet. Sipas tij, kjo ekspozitë është një frymëzim edhe për shumë artistë të tjerë.

Gazetari Rexhep Polisi u shpreh se, Bardha Alimeta është një emër i njohur për artdashësit, jo vetëm për krijimtarinë e saj në pikturë, por edhe në poezi dhe prozë.

“Pikturat e Bardhës nuk janë thjesht një fantazi. Aty ka jetë, ka art, ka lirshmëri dhe bukuri mahnitëse që tërheq artdashësit në ekspozitat e saj.

Në pikturat e saj, Bardha shpalos përpara nesh një realitet shpirtëror, një realitet ku shfaqet dukshëm e mira dhe e bukura.

Në pikturat e saj ka ngjyra të ngrohta ku pasqyrohet më së miri gjendja emocionale dhe raportet e saj me natyrën, mënyrën si e shikon, e koncepton, e shijon dhe e pasqyron atë.

Bota e saj femërore shprehet me art në pikturë dhe përshkruhet bukur edhe në krijimtarinë letrare.

Në poezitë e saj shpaloset dashuria, por edhe dhimbja shpirtërore. Bardha me vargjet e saj është përherë në kërkim të dashurisë njerëzore, në kërkim të lumturisë. Poezitë e saj janë shpirtërore, janë poezi që të bëjnë për vete dhe teksa i lexon humbet në një botë tjetër. Në një botë ku njeriu gjen të bukurën, emocionin…

Në poezitë e saj jeta shpaloset me të gjitha ngjyrat. Aty ka lirizëm, ka figuracion, krahasim dhe metafora. Në poezi Bardha është vetvetja, e thjeshtë, e dashur, kërkuese dhe këmbëngulëse për të arritur atë që dëshiron.

Gjithkush që lexon poezitë e Bardhës gjen aty veten dhe vihet në kërkim të poezisë së saj.

Po kaq mahnitëse dhe mbreslënëse Bardha na shfaqet edhe në prozë, krejt e veçantë dhe befasuese. Jeta e përditshme, shqetësimet e kohës, malli për vendlindjen, për gurgullimën e Shkumbinit dhe për fëshfërimën e pemëve gjejnë hapsirë në prozën e saj.

Në tregimet e Bardha Alimetës ka kontakt me njerëzit, atmosferë dhe jetë. Bardha është gjithnjë në kërkim të së bukurës dhe përjetimet, ndjenjat i shpreh me mjeshtëri në prozën e saj duke e bërë lexuesin të ndjehet mirë…

Bardha Alimeta ka botuar pesë libra me poezi dhe prozë si dhe ka çelur tre Ekspozita vetjake në pikturë. Kjo është ekspozita e katërt e saj”, u shpreh Polisi gjatë fjalës së tij.

2 29

Exit mobile version