“Pikturat, si të një djali kolegji të droguar”

Atë që në Shqipëri e dinë të gjithë, por që nuk ka guxuar ta thotë asnjë kritik arti apo gazetar kulture e gjen në një nga shkrimet për Bienalen e Venecias. Pikturat e Edi Ramës bëjnë përshtypje sepse ai vetë është kryeministër, jo se kanë vlerë artistike. Gazetarja Alexxa Gotthardt dhe kolegu i saj, Scott Indrisek i krahasojnë pikturat e Edi Ramës me eksperimentet mbi librin e shënimeve të një adoleshenti të droguar kolegjesh.
“Në segmentin Giardini, të ‘Viva Arte Viva’, një dhomë e madhe është e mbuluar me një letër muri, me një seri vizatimesh gjeometrike, shumëngjyrëshe, pak si eksperimentet në fletoren e një djali kolegji të talentuar nën efektin e drogës. Për të qenë të sinqertë deri në fund, punimet nuk do të kishin ndonjë rëndësi, sikur të mos ishin bërë nga kryeministri i Shqipërisë, një njeri që u bë i famshëm sepse ngjyrosi pallatet në Tiranë, kur ishte kryetar Bashkie. Një letër muri e ngjashme është përdorur për të dekoruar zyrën e tij në godinën e qeverisë. Vizatimet janë bërë në dokumentet dhe letrat e zyrës së tij, të përzgjedhura gjatë ditës së punës”.
Në shkrim, sillet edhe një herë në vëmendje një shprehje e Ramës për “The Guardian”, “Nëse arti nuk e bën politikën më të arsyeshme, politika me çmendurinë e saj, mund ta bëjë artin më të mirë”.
A do tëguxonte kush në Shqipëri?! Kjo është pyetja që duhet t’i bëjmë vetes. Ose më tej, çfarë mund të ndodhte me një gazetar kulture nëse bënte vlerësimin për pikturat e Edi Ramës: “Sikur t’i kishte bërë një i droguar”?!
Por të huajt e kanë guximin për t’i shkruar gjërat siç i mendojnë dhe konstatojnë. Gazetarja freelancer, Alexxa Gotthardt dhe kolegu i saj, Scott Indrisek të “Artsy” e bënë pa iu dridhur qerpiku. Po. “Si një djalë kolegji të talentuar”, por “nën efektin e drogës”.
Gotthardt, me formim në kritikë arti, pasi është edukuar në “Middlebury College” dhe me një set aftësish si njohje e artit kontemporan dhe ekspozimit të tij apo me aftësi në këshillim dhe kurimin e projekteve e tha hapur dje që nuk do qe shumë i njohur si artist Edi Rama po mos qe kryeministër i Shqipërisë.
Me një eksperincë të gjatë në fushë, redaktore prej më shumë se 2 vjetësh e gjysmë te “Artsy”, që mbledh dhe shkruan për galeritë kryesore të artit në botë, muzeumet, organizatat, pronat e artistëve, tregtinë me 800 mijë imazhe dhe rreth 70 mijë artistë në mbarë botën, Gotthardt tha se: “Për të qenë të sinqertë deri në fund, punimet nuk do të kishin ndonjë rëndësi, sikur të mos ishin bërë nga kryeministri i Shqipërisë, një njeri që u bë i famshëm sepse ngjyrosi pallatet në Tiranë, kur ishte kryetar Bashkie”.
Kolegu i saj që shkroi bashkë me të për Ramën, Scott Indrisek është një shkrimtar, artist dhe ish-kryeredaktor i revistës “Modern Painters”. Punët e tij janë shfaqur te “Beliver”, “Out”, “Village Voice”, “BlackBook”, “Bookforum” etj. Ai është gjithashtu bashkëthemeluesi i “Teen Party”, një hapësirë ekspozimi me bazë një apartament në Bed-Stuy, Brooklyn.
Vlerësimet e gazetarëve kanë rezultuar pak delikate për kryeministrin tonë, që dëshiron që bota ta njohë si artist: “…një dhomë e madhe është e mbuluar me një letër muri, me një seri vizatimesh gjeometrike, shumëngjyrëshe, pak si eksperimentet në fletoren e një djali kolegji të talentuar nën efektin e drogës”. Po mbase kalohet lehtë, tek e fundit reklama e keqe është reklamë e mirë!

Exit mobile version