Piloti italian Guido Andrea Guidi rezulton të jetë sipërmarrës i hershëm në biznesin e fluturimeve me avionë Jet dhe një personazh i njohur për drejtësinë italiane. Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë, ai ka qenë nën hetim dhe është shpallur përgjegjës nga Gjykata e Kasacionit në Itali për veprën penale të nxitjes së korrupsionit.
Akuza e ka origjinën tek një aksident ajror, i ndodhur në korrik të vitit 2003 në një aeroport të Milanos, ku një avion i kompanisë Eurojet u rrëzua mbi një kapanon industrial, duke shkaktuar vdekjen e dy pilotëve. Sipas vendimit të Gjykatës së Kasacionit të 23 tetorit 2013, Guidi ishte njëri prej ortakëve të Eurojet.
Vendimi i Gjykatës italiane shpjegon se pas aksidentit, Ministria Publike caktoi një teknik për të ushtruar kontroll mbi kompaninë, por Guidi dhe ortaku i tij u akuzuan se ofruan një shumë të majme parash në këmbim të një ekspertimi të rremë që favorizonte kompaninë e tyre.
Ndonëse nuk u provua që rryshfeti të ishte dhënë, Guido Andrea Guidi dhe ortaku i tij u shpallën përgjegjës për veprën penale të nxitjes së korrupsionit.
Piloti italian Guido Guidi rezulton që të ketë hyrë dy herë në Shqipëri. 69-vjeçari pilotonte avionin e vogël tip “Piper” që u rrëzua mëngjesin e sotëm në Ishëm të Durrësit dhe që dyshohet se do të përdorej për trafik ndërkombëtar të drogës. News24 raporton se italiani Guido Guidi ka hyrë në vendin tonë pëmes aeroportit të Rinasit dhe doganës së Muriqanit. Nga Rinasi, piloti italian ka hyrë dhe është larguar nga Shqipëria më 6 nëntor 2013 dhe nga dogana e Muriqanit erdhi në vendin tonë më 10 janar 2014 dhe u largua një ditë më pas. Hetuesit e krimeve të rënda vazhdojnë hetimet për të zbuluar nëse ai është i përfshirë në trafik droge.