Pilula çudibërëse e lumturisë

Nga Namir Lapardhaja

Në vitin 1932 në Varshavë, kryeqytet i Polonisë, u botua një roman me titull “Pangopësia” me autor Stanislav Vitkieviç, i cili ishte njëkohësisht piktor, shkrimtar dhe filozof. Ngjarjet ishin vendosur në Evropën e viteve ’40-’50, ndërsa mjedisi që përshkruhej ishte ai i artistëve dhe i shoqërisë së lartë. Të gjitha ndodhin në një kohë kur qytetërimi perëndimor ishte i kërcënuar, vendi ishte i pambrojtur dhe do të pësonte i pari goditjen e një ushtrie lindore. Heronjtë e romanit janë njerëz fatkeq: ata kanë humbur besimin në gjithçka dhe çdo gjë që bëjnë u duket e pakuptimtë. Në këtë atmosferë, nëpër qytete të ndryshme, shfaqen tregtarë shëtitës, të cilët shesin fshehtas pilulat “Murti-Bing” dhe çdo njeri që i përdor ato gjen qetësinë shpirtërore dhe lumturinë e përhershme, duke fituar imunitet ndaj çdo tundimi për vramendje metafizike. Epilogu i këtij romani është dhënë me pak fjalë: lufta ka vënë përballë ushtritë e Perëndimit me ato të Lindjes dhe, në çastin kur pritet të fillojë beteja, komandanti i ushtrisë perëndimore shkon e dorëzohet në shtabin e armikut; si “shpërblim” i pritet koka. Ushtria lindore pushton vendin dhe fillon “jeta e re”, në të cilën zbatohet “Murti-Bingu” dhe personazhet e romanit, dikur të rënuar shpirtërisht nga “pangopësia” filozofike, kalojnë në shërbim të sistemit të ri. Qetësia e tyre spikat përballë gjithçkaje që ndodh përreth.
Mbi këtë histori e ngre parabolën e kapitullit me të njëjtin titull (Murti-Bing) Çesllav Milloshi në veprën “Mendja e robëruar”, shkruar në vitet ’51-’52, në kulmin e stalinizmit.
Ajo që na thotë Milloshi është se “Murti-Bingu” është një tundim i madh për intelektualin, i cili konformohet me regjimin me zell dhe entuziazëm.
Sipas tij, në romanin e Vitkieviçit, vihen re disa elementë, të cilët ndihmojnë të kuptojmë se si njerëzit piqen për “Murti-Bingun”:
Elementi i parë që rendit ai është zbrazëtia, që ka të bëjë me mungesën e besimit fetar, i cili ka pushuar së ekzistuari. Elementi i dytë që merr në konsideratë është absurdi. Ai sërish merr në analizë një prej heronjve të Vitkieviçit, i cili bën një shëtitje, ku e shqetëson ndjenja marramendëse e absurdit. Cila është arsyeja që e përligj ekzistencën e të gjithë këtyre përfaqësuesve të species njerëzore, ç’kuptim ka kjo lëvizje, këto buzëqeshje, këto përpjekje për të fituar para, këto zbavitje prej shtazësh budallaqe? Këto lloj pyetjesh janë, pothuajse, të pashmangshme dhe bashkudhëtare të asaj që quhet urrejtja ndaj borgjezisë. Ndaj, vijon ai, le të ngrihet Njeriu i ri, i cili, në vend që t’i nënshtrohet botës, e transformon atë, njeriu që mendon në përmasa botërore dhe që vetë e krijon formimin e tij historik në vend që të jetë skllav i tij. Vetëm kështu mund të çlirohesh nga absurditeti i ekzistencës fiziologjike. Elementi i tretë është domosdoshmëria. Sipas Milloshit, ajo që e karakterizon këtë personazh është frika për të menduar në mënyrë të pavarur.
Suksesi është elementi që kurorëzon analizën e Çesllav Milloshit. Sipas tij, vjen një kohë kur bëhet e domosdoshme të merret e tërë doza e “Murti-Bingut”, edhe pse kjo nuk kalon pa dhimbje për pacientin.
Në epilogun e romanit të Vitkieviçit, heronjtë që kanë kaluar në shërbim të “Murti-Bingut”, shndërrohen në skizofrenë. Është lufta e brendshme midis një bote “të re” dhe asaj “të vjetër”, midis asaj që është dhe asaj që duhet të jetë, është dyzimi i tyre, i cili, pavarësisht pilulës “çudibërëse” nuk i lë të qetë duke i shkaktuar vështirësi të mëdha në jetën e përditshme.
Në fund le t’i kthehemi edhe një herë asaj se çfarë ndodhi me autorin e romanit “Pangopësia”: kur ai mori vesh se Ushtria e Kuqe kishte pushtuar Poloninë, u vetëvra duke pirë helm dhe prerë damarët. Romani i tij, shkruar disa vjet më parë, kishte shërbyer si profetësi e asaj që do t’i ndodhte vendit më pas.

Exit mobile version