Për dekada me radhë, pilulat për kontrollin e lindjeve janë përdorur vetëm nga gratë. Sipas një studimi të ri, një pilulë për kontrollin e lindjeve për meshkujt, që është e sigurt dhe efikase njëherësh, mund të jetë në horizont.
Rezultatet e studimit u prezantuan gjatë takimit vjetor të Shoqatës Endokrine, në Çikago. Shkencëtarët kanë zbuluar se pilula hormonale e propozuar, e quajtur undecanoate ose DMAU, ka ulur në mënyrë efikase nivelet e testosteronit dhe hormoneve të tjera përgjegjëse për prodhimin e spermës, pa shkaktuar asnjë efekt anësor.
“Qëllimi ynë dhe i çdokujt të përfshirë në këtë fushë, është të zhvillojmë një metodë për meshkujt që ka efekte anësore minimale, dhe graili i shenjtë do të jetë të zhvillojmë diçka që ka gjithashtu përfitime shëndetësore për meshkujt”, thotë dr. Stephanie Page, endokrinolog tek Shkolla Mjekësore e Universitetit të Uashingtonit.
Për gratë ka një sërë opsionesh për kontrollin e lindjeve, si pilulat hormonale, injektimet dhe pajisje që vendosen brenda mitrës.