Nga Agim Baçi
Hunda e rritur e Pinokut, e shkrimtarit dhe filozofit italian Karlo Kolodi, është prej vitesh e vitesh pjesa e dukshme për botën dhe për mbarë ata që e komentojnë shpesh e me nxitim.
Por, a është ky art i madh i Kolodit te gjetja e hundës që rritet nga gënjeshtrat, apo është më domethënës rrugëtimi që i duhet Xhepetos për të rritur dhe edukuar Pinokun me dashurinë e madhe dhe guximin për t’ia dalë mbanë?
Pinoku vjen si një dëshirë e thellë e Xhepetos, ashtu siç vijnë përgjithësisht fëmijët në këtë botë, si një dëshirë dhe ëndërr e prindërve.
Xhepetos i mjafton druri i gdhendur gjithë dashuri, ashtu siç në fakt duhet të gdhenden gjithë dashuritë. Ai është i mahnitur teksa sheh Pinokun të flasë. Ai e ndjek kudo, jep gjithçka për të dhe e fal, siç bëjnë apo duhet të bëjnë në të vërtetë prindërit.
Por shumë nga ata që vijojnë t’ua lexojnë fëmijëve, vijojnë të vënë theksin te hunda e rritur e Pinokut pas gënjeshtrave, duke harruar se ç’duhet t’u thonë fëmijëve për kurthet e pafundme që u dalin përpara lidhur me marrëdhëniet me të tjerët, me lojën e përhershme të jetës dhe me kurthin e fortë kohës së sotme të dëshirës për t’u bërë i pasur apo i famshëm me çdo kusht.
Shumica e prindërve habiten se si fëmija i tyre nuk arrin t’i përballojë këto kurthe joshjeje, që sot çdo fëmije i vijnë përpara syve në formë spektakli, fame apo dëshire për t’u bërë i pasur apo i famshëm, në një kohë sa më të shpejtë dhe me çdo kusht. Madje, edhe më keq janë ato raste kur mjaft prindër shihen duke i mbështetur në këtë dëshirë spektaklesh dhe fame fëmijët e tyre, pa u kujdesur aspak se në këtë udhëtim është e rëndësishme të kalosh mes disa vlerave njerëzore, e sidomos për të kuptuar veten dhe tjetrin përballë teje…
“Pinoku” i Carlo Kolodit është një himn i zgjidhjes së gjithçkaje përmes dashurisë. Sepse nëse nuk u mësojmë fëmijëve të falin dashuri, nuk ka pse të presim prej tyre dhembshuri dhe empati.