Pioli drejt largimit nga stoli i Interit

Interi kërkon një trajner të madh. A do të qëndrojë apo jo Stefano Pioli në krye të stolit zikaltër edhe për sezonin e ardhshëm, kjo është një pyetje që është ngritur shpesh kohët e fundit, por që nuk mundesh dot t’i japësh një përgjigje. Dyshimet janë të shumta, gjithsesi  nga ana tjetër projektet e Sunning për Interin e së ardhmes janë shumë ambicioze dhe familja Zhang është duke vështruar rreth e qark nëse ndonjë emër i madh i botës së trajnerëve është i disponueshëm. Konfirmimi i vetëm është se Pioli do të largohet nëse afrohet një teknik i një niveli të lartë.
Lista e kandidaturave është e gjatë dhe në krye të saj qëndron Antonio Conte, i cili për momentin ka deklaruar se kërkon të fitojë Premier League-n me “Blutë e Londrës” e më pas do të diskutojë me presidentin Roman Abramovich, për të kuptuar se kush janë planet e tij, në Champions League, përsa i përket të ardhmes ai ka deklaruar se do të qëndrojë në Londër. Emri i dytë është ai i Diego Simeones, një ish-futbollist zikaltër dhe që me shumë gjasa ky është sezoni i tij i fundit si trajner i Atletico Madrid. Në disa raste El Cholo e ka lënë të hapur transferimin te zikaltërit. Jose Mourinho ka lënë gjurmë të thella tek Interi e pa diskutim edhe ai nuk mund mbetet jashtë kësaj liste. Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola janë të fundit që mbyllin listën e dëshirave. Kandidatura ideale këto, për të ringritur skuadrën në nivelet e dikurshme, por pavarësisht kësaj misioni për të transferuar njërin prej tyre, duket më shumë se i vështirë.

Artikulli paraprakRanieri u tradhtua
Artikulli tjetërMarotta: Allegri qëndron te Juventusi