“Harkëtari” që adhuron Ibrën
Stefano Pioli u tregua dinak, pasi një ndeshjeje siç ishte ajo e Interit me Spartën e Pragës, arriti që ta kthente në favorin e vet, duke i dhënë mundësi një talenti të rritur “në shtëpi” që të debutonte. Trajneri italian i dha shansin e madh Andrea Pinamontit që të debutonte me ekipin e madh në “Meazza”, duke bërë që tifozët të mos mërmërisnin më.
Pinamontit nuk i mungon asgjë për t’u bërë një bomber me famë në Serinë A. Ishte autor i asistit te goli i parë që shënoi Ederi, por askush nuk dalloi asnjë gjest jashtë së zakonshmes prej tij. Aty doli në pah edhe cilësia e tij e madhe. Në përfundim të duelit, Pioli tha: “Është serioz dhe shumë i përulur. Ka cilësi që nuk mund të gjenden te shumë lojtarë të talentuar”.
Milano zikaltër shikon me mjaft kujdes detaje të tilla, pasi vetëm pak vite më parë i është dashur që të merret me një sulmues si Baloteli, i cili nuk “u kompletua” kurrë. Por numri 99 (shifër që përkon me vitin e tij të lindjes) është shumë më i pjekur. Pinamonti kalon kohë me ekipin e parë, pasi shpesh është thirrur të stërvitet me titullarët. Ai ka një raport të veçantë me Palasion, i cili nuk e trajton si rival, por e shikon më shumë si një vëlla të vogël që duhet këshilluar për gjithçka.
Pinamontin e donte dhe Milani, por sot nuk luan përkrah Donarumës, pasi Interi lëvizi më shpejt. Zikaltrit e ndoqën që në moshën 9-vjeçare. Në atë kohë ishte e pamundur që të blinin djaloshin e lindur në një provincë të vogël të Trentinos. Ai ndryshoi ekip në 2013-ën, pasi e kishte vështirë të largohej për shkak të një ligji.
Në Trentino qëndroi deri në moshën 14-vjeçare, por të dhënat e tij ishin më të larta se mesatarja e lojtarëve të rajonit dhe, për këtë arsye, Federata mbylli një sy, duke i lejuar që të transferohej tek ekipi i rinjve të Kievos, ku qëndroi për pesë vite. Interi kishte arritur akordin me familjarët dhe pranoi që ta linte në Verona derisa të mbushte moshën për ta afruar zyrtarisht në Milano.
Ai bëri mirë me shpresat e Interit, pasi një vit më parë i shënoi gol Milanit në të dy derbet. Roberto Mançini e pa dhe i dha mundësi që të stërvitej me të rinjtë. Nëse Manço do të ishte ende sot trajner i Interit, Pinamonti do të kishte pasur shansin që të debutonte shumë kohë më parë. Me shpresat e Interit këtë sezon ai ka shënuar 12 gola në 10 ndeshje.
Në këtë klasifikim qëndron vetëm një gol pas bomberit të Lacios, Rosi, i cili është dy vite më i madh. Sa herë feston shënimin e golave bën gjestin e harkëtarit që merr shigjetën në shpinë. Shpesh ka thënë se do që të një ditë të bëhet si Ikardi dhe si Ibra.
Nedved: S’kam fituar kurrë një titull kartoni
Ka qenë dhe mbetet padyshim një ndër lojtarët më të dashur nga tifozët e Juventusit, por Pavel Nedved ishte pranë fanellës së Interit, në verën e vitit 2009, kur në stolin zikaltër ulej Jose Mourinho. Gjithsesi në fund, fituesi i “Topit të Artë” 2003 e mbylli karrierën te bardhezinjtë ku tani ka një rol drejtuesi. Disa vite më pas, Nedved rikthehet të flasë për thirrjen e Mourinho-s.
“Mou e dinte që unë ndihesha i joshur nga Championsi, por unë nuk mund të shkoja te Interi. Nuk ia kam dalë kurrë ta fitoj Championsin, ndaj ndihesha i mikluar nga mundësia për të luajtur në atë kompeticion dhe ta fitoja, por unë nuk mund të përputhesha me Interin. Te Mourinho do të shkoja në çdo vend tjetër të botës, por te Interi jo. Pastaj zikaltërit fituan Championsin? S’ka problem, diçka e tillë duhej të ndodhte, e dëshironte Mourinho”, tha ai.
Një idhull i bardhezinjve si Nedved nuk mund të bëhej kurrë zikaltër. Diçka e tillë kuptohet edhe në komentin e ish-mesfushorit mbi episodin që pasuan skandalin e Calciopolit, dhe titullin e marrë në tavolinë nga Interi pas dënimit të Juventusit. “Titulli që i dhanë Interit? Flitet se është një titull kartoni, nuk mund ta vlerësoj, duke qenë se nuk kam fituar kurrë një titull të tillë”.