Stefano Pioli rikthehet të flasë për çështjen Gabigol. Sulmuesi brazilian edhe pse i ka kushtuar Interit rreth 30 milionë euro, ka luajtur në total vetëm 16 minuta këtë sezon në ndeshjen ndaj Bolognas. Në një prononcim për mediat italiane ku foli për shumë tema lidhur me aktualitetin zikaltër, Pioli u ndal edhe te 20-vjeçari Gabriel Barbosa. “Mendoj se është një futbollist me një talent të madh dhe po bën të gjitha përpjekjet për të kuptuar metodat e reja të punës dhe mbi të gjithë mentalitetin e ri, por unë nuk mund të mendoj se sa para ka paguar klubi për një futbollist përpara se të bëj formacionin”, theksoi Stefano Pioli.
“Gabigol duhet të këtë durimin e mjaftueshëm dhe të tregojë që di të luajë futboll, sepse me kualitetet që ka do të gjejë me siguri hapësira, mund të rritet bashkë edhe ne edhe për faktin se ai mund të luajë përkrah Icardit”, shtoi në vijim trajneri i Interit. Marcelo Brozoviç është një nga lojtarët që po spikat më shumë në shtëpinë zikaltër gjatë ndeshjeve të fundit. Një mendim i Piolit shkoi edhe për mesfushorin kroat. “Marcelo po më jep përgjigje pozitive, është i ri dhe ka shumë kualitet edhe pse mendoj se mund të përmirësohet shumë më tepër”. Nga Brozoviç te Banega e Joao Mario. “Janë dy mesfushorë të shkëlqyer të orientuar më shumë drejt fazës ofensive sesa asaj difensive deklaroi ish-tekniku i Lazios. U kam dhënë besim të gjithë futbollistëve që kam në skuadër, por duke i njohur më mirë më duhet të bëj disa zgjedhje”, nënvizoi në fund trajneri 51-vjeçari.