Mungonte vetëm zyrtarizimi, por tashmë edhe ai ka ardhur. Stefano Pioli është trajneri i ri i Interit. 51-vjeçari nga Parma arriti të fitonte konkurencën me spanjollin Marcelino Garcia Toral dhe do të jetë pikërisht ish-tekniku i Lazios, pasuesi i Frank De Boer në stolin e Interit. Pioli do të ketë detyrën e vështirë për të rikthyer Interin në rrugën e duhur pas një periudhe shumë negative në aspektin e rezultateve. Klubi zikaltër me një komunikatë në faqen zyrtare bëri të ditur angazhimin e Stefano Piolit si trajner të ri të skuadrës. 51-vjeçari ka firmosur një kontratë që do ta mbajë të lidhur me Interin deri në verën e vitit 2018.
Stefano Pioli do të prezantohet zyrtarisht përpara mediave në qendrën stërvitore të Interit, Angelo Moratti, këtë të enjte. Pasi zgjidhi me konsensus kontratën me Lazion, klub nga i cili është larguar prej disa muajsh, Pioli u zyrtarizua si trajneri i ri i Interit. Italiani është trajneri i 9-të që emërohet në krye të skuadrës zikaltër që pas largimit të Jose Mourinhos në vitin 2010, me shpresën se ai nuk do të ketë fatin e Benitez-it, Leonardos, Gasperinit, Ranierit, Stramaccionit, Mazzarrit, Mançini-it dhe De Boer-it. Puna më e vështirë nis tani për Stefano Piolin që më parë në Serinë A, përveç Lazios ka drejtuar edhe skuadra si Chievo, Verona e Bologna.