Andrea Pirlo i jep fund karrierës si futbollist. Një prej mesfushorë më të mirë që ka njohur bota e futbollit. Fitues i shumë titujve kampion me fanellën e Milanit dhe atë të Juventusit. Kampion bote me Kombëtaren e Italisë, gjithçka e mundshme për t’u fituar Andrea Pirlo i ka arritur. Ashtu siç ndodh edhe në shumë sporte të tjera, mosha nuk të lejon të luash përgjithmon. Sot, 38 vjeç, Andrea Pirlo është gati të varë këpucët në gozhdë. Është vetë italiani ai që e ka dhënë lajmin, duke deklaruar se në dhjetor ai do të tërhiqet nga futbolli.
“E kupton vetë që ka ardhur momenti për t’u tërhequr. Çdo ditë t’i ke probleme fizike dhe nuk arrin dot të stërvitesh siç t’i do doje, sepse ka gjithmonë diçka që të pengon. Në moshën që jam unë është mirë të thuash stop. Nuk mund të luash futboll deri në moshën 50-vjeçare. Do të merrem me diçka tjetër. Kam dhënë kontributin tim maksimal, është momenti për të dhënë hapësirë moshave të reja. Në dhjetor skadon dhe kontrata ime me New York deri në atë muaj do të jem duke luajtur, më pas do të nisë diçka të re”, u shpreh Pirlo.
Shumë futbollistë në momentin kur tërhiqen nga futbolli i luajtur, nisin karrierën e tyre si trajnerë, në rastin e Andrea Pirlo ky opsion nuk vlen. “A mendoj të bëhem trajner? Nuk është e thënë që të jesh një lojtar i mirë detyrimisht mund të jesh dhe një trajner i zoti. Aq më tepër që duhet të kesh dhe një lloj shkëndije për t’u bërë pjesë e këtij profesioni dhe një gjë e tillë tek unë nuk ka ndodhur”, tha ai.
Në total në karrierën e tij, Andrea Pirlo regjistron 755 ndeshje të luajtura dhe 75 gola të realizuar. Fitues i dy titujve kampion me Milanin si dhe dy Champions League po me fanellën e kuqezinjve, ndërsa Juventusin arriti të fitonte katër kampionate radhazi. Në vitin 2006 kampion bote me kombëtaren e Italisë.