Pishat e Veliajt dhe Fushës/ Si u hodhën në kosh 3.3 milionë euro në rrugën Tiranë-Durrës

Fillimet e punimeve për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës dhe shndërrimin e saj në një autostradë kanë materializuar një nga shpërdorimet më të mëdha të parave të qytetarëve në historinë e shtetit shqiptar.

Teksa fadromat e kompanive që fituan tenderin në dy lotet e para të rrugës kanë filluar gërrmimet në terren, ecuria e tyre ka hasur në një ngërç. Ato janë 485 pishat në të dy anët e rrugës, të cilat rezultojnë në inventarin e bashkisë me kosto 6800 blerje euro secila.

Burime i thanë Kapitalit se Bashkia po ngurron të shkulë pishat duke vonuar dhe ecurinë e punimeve. Por fati i pemëve, dhe bashkë me to edhe i 3.3 milionë eurove të qytetarëve shqiptarë, tashmë është vendosur. Në kosh.

Ky përbën një nga shpërdorimet me të mëdha direkte të parave të qytetarëve nga institucionet publike. çështja u kallëzua në prokurorinë e Tiranës. Por në vitin 2020, Gjykata e Apelit në Tiranë e pushoi çështjen me kërkesë të vetë prokurorisë.

Rrush e kumbulla
Historia e shpërdorimit të parave publike me pemët në rrugën Tiranë-Durrës nis në vitin 2014, me ardhjen në pushtet të socialistëve. Në atë vit, ministria e Mjedisit shpalli një tender me vlerë 90 milionë lekë ose 900 mijë euro me kursin aktual, për të mbjellë palma në të dy anët e autostratës. Por pas mbjelljes, palmat nuk rezistuan dhe u thanë të gjitha.

“E pranojmë që palmat nuk ishin një zgjedhje për t’i mbijetuar këtyre temperaturave. Nëse do t’i përfundonim përpara vitit të ri [mbjelljen e pishave] kjo do të ishte një situatë ideale,” tha kryebashkiaku Veliaj në Këshillin Bashkiak më 23 nëntor 2017.

Sakaq Bashkia e Tiranës kishte nisur planet për t’i zëvendësuar palmat e thara me pisha. Në janar të vitit 2020, Drejtoria Numër 1 e Punëtorëve të Qytetit, një institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës, shpalli një procedurë të mbyllur me negocim të drejtëpërdrejtë për mbjelljen e pishave të buta anës rrugës Tiranës-Durrës.

Fondi i tenderit ishte 332 milionë lekë, ose 3.3 milionë euro me kursin aktual dhe kontrata iu dha kompanisë Fusha sh.pk. Fusha sh.p.k. është ndër fituesit më të mëdhenj të kontratave me Bashkinë e Tiranës, përfshi ndërtimin e Sheshit Skënderbej, mirëmbajtjen e tij, rindërtimin e Piramidës dhe një sërë veprash të tjera të mëdha publike të prokuroruara nga Bashkia e kryeqytetit.

fusha

Fondet për zëvendësimin e palmave të thara me pisha të buta u miratuan në një ndryshim buxheti afatmesëm në Këshillin Bashkiak të Tiranës në fund të vitit 2017. Fondi i vënë në dispozicion të kompanisë Fusha ishte rreth 332 milionë lekë, i ndarë për t’u disbursuar përgjatë viteve 2017-2019. Pas një ndryshimi të dytë të vendimit në Këshillin Bashkiak, kontrata u ekzekutua plotësisht gjatë muajve janar dhe maj 2018.

Ping-pong për shkarkim përgjegjësish
Shqetësimi për mbivendosje projektesh në rrugën Tiranë-Durrës, të cilat më pas shkatërronin njëri tjetrin me pasojë dëme financiare në buxhetin e shtetit nuk është i ri. Planet për zgjerimin e rrugës ishin hartuar që në vitin 2014.

Në fillim të vitit 2016, projekti i Ministrisë së Mjedisit për mbjelljen e palmave në autostradë u bë pjesë e një kallëzimi që Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri kundër drejtuesve të atëhershëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Shqetësimi i KLSH-së lidhej me gropën e parave të shpenzuara në autostradën Tiranë-Durrës, ndërkohë që po përgatitej projekti për zgjerimin e saj me tenderat për rehabilitimin e rrethrrotullimit të Doganës, përmirësimin e sinjalistikës rrugore dhe gjelbërimin me palma të aksit nga mbikalimi i Kamzës deri në Kashar. Të tria projektet kishin kushtuar rreth 593 milionë lekë pa TVSH ose gati 6 milionë euro.

“Në dijeni të plotë të këtyre investimeve, ARRSH nëpërmjet prokurimit të këtij studimi ka projektuar që në fillim shkatërrimin e investimeve të filluara me një vlerë totale prej 593 milionë lekësh pa tvsh, çka automatikisht i kthen këto investime në vlera të konsiderueshme monetare në investime tejet afatshkurtra, të cilat rëndojnë në mënyrë të papërgjegjshme buxhetin e shtetit,” thuhej në raportin e atëhershëm të KLSH.

Por këtyre shpërdorimeve iu shtuan edhe 3.3 milionë eurot e tjera të pishave që Bashkia e Tiranës bleu nga Fusha. Të vëna para faktit të kryer të shpërdorimeve, institucionet nisën ping pongun për të shkarkuar përgjegjësinë tek njëra tjetra. Autoriteti Rrugor Shqiptar iu përgjigj agjencisë BIRN se bashkia e Tiranës kishte qenë në dijeni të plotë të planeve për zgjerimin e rrugës, përpara se të prokuronte pishat e shtrenjta.

“Zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës është një projekt i hartuar në periudhën kohore 2014-2016. Sipas legjislacionit në fuqi, konsultimi me publikun është kryer dhe në takimin e organizuar janë ftuar të gjithë aktorët si Bashkia Tiranë, Bashkia Vorë, Bashkia Kamëz, grupet e interesit etj. Bashkia Tiranë ka marrë pjesë në takimin e konsultimit me publikun,” tha ARRSH në përgjigjen për BIRN.

Të gjitha çështjet e këtyre shpërdorimeve u mbyllën në shkallët e drejtësisë pa asnjë fajtor. Rezultati final i të gjithë kësaj ishte se në rrugën Tiranë-Durrës u hodhën në kosh miliona euro para të qytetarëve në projekte afatshkurtra që shkatërronin njëra tjetrën. Por fajtorë për këtë nuk ka.

Exit mobile version