Pjaca 8 muaj jashtë

Një goditje e rëndë për Juventusin dhe një nga lojtarët më të talentuar të brezit të ri në Kroaci. Marko Pjaca humbet sezonin aktual dhe një pjesë të madhe të sezonit tjetër, pasi dëmtimi i pësuar në miqësoren Estoni-Kroaci rezultoi shumë i rëndë. Sipas komunikatës zyrtare, sulmuesi i Juventusit ka pësuar thyerje të pjesshme të meniskut dhe një tjetër frakturë në gju. Diagnoza është bërë e ditur nga mjeku i Kombëtares së Kroacisë pas analizave të detajuara dhe në këtë pikë, për ta parë lojtarin në fushën e blertë do të duhen nga 6 deri në 8 muaj. Në këtë mënyrë, Juventusi humbet një lojtar shumë të rëndësishëm në betejën e këtij sezoni ku lufton në tre fronte. Pjaca doli nga fusha e lojës me barrelë në minutën e 64. Tashmë, ai duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale për të rindërtuar meniskun dhe me shumë mundësi do ta mbyllë vitin 2017 jashtë fushave. Pjaca u transferua te Juventusi gjatë merkatos së verës së shkuar dhe në klubin bardhezi konsiderohet si një nga lojtarët më premtues për të ardhmen. Ai numëron 14 ndeshje me fanellën e Zonjës së Vjetër gjatë këtij sezoni me një gol të shënuar në sfidën e parë kundër Portos.
Ajo që është e sigurt është se, Barcelona-Juventus është një ndeshje që do të zgjasë shumë. Jo vetëm sepse është Champions-i në prag, por nga Katalunja vijnë mesazhe direkte dhe të pakoduara nga fronti i merkatos. Objekti për të cilin bëhet fjalë është Paulo Dibala, i cili është në shënjestrën e klubeve më të mëdha të Europës dhe pa dyshim edhe Barcelonës.
Drejtori sportiv i katalanasve, Robert Fernandez, ka marrë përsipër detyrën e vështirë për të përmirësuar më tej një skuadër, e cila, për hir të së vërtetës, ka pak vend për përmirësime. Sipas shtypit spanjoll, Fernandez ka piketuar dy emra, të cilët në të ardhmen mund të bëhen pjesë e klubit dhe njëra prej dy kandidaturave është zbuluar të jetë ajo e sulmuesit argjentinas të Juventusit.
Në intervistën e tij dhënë gazetës “Mundo Deportivo”, Fernandez ka folur për synimet e klubit që ai përfaqëson gjatë merkatos verore. Sipas tij, edhe skuadra blaugrana ka vend për përmirësime, por duhet pasur kujdes në zgjedhjen e lojtarëve që do të afrohen, pasi duhen marrë gjithmonë lojtarë që kanë cilësi të ndryshme nga ato të yjeve që tashmë janë pjesë e Barcelonës.
Pa e tepruar në përgjigjet e tij, Fernandez me qetësinë që e karakterizon u shpreh: “Dibala është një lojtar shumë cilësor, por ky nuk është vetëm mendimi im. A e ndjek Barcelona argjentinasin? Sigurisht që po, por vëmendja jonë është gjithmonë shumë e përqendruar në lojtarët më cilësorë, ndaj duhet të jemi gjithmonë në gatishmëri nëse paraqitet mundësia për të blerë yjet e futbollit botëror, pasi në pritje për raste të volitshme të ngjashme janë edhe rivalët tanë”.

Exit mobile version