Dy të rinj mbetën të plagosur pasmesnatën e të martës nga të shtënat me armë në Tiranë. Burimet e policisë bënë të ditur se, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:29 në rrugën “Sabaudin Gabrani”, në Kombinat. Nga të shtënat me armë kanë mbetur të plagosur shtetasit Xh.V si dhe J.SH, të cilët janë transportuar në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Xhenis Vrapi, 33 vjeç dhe shoku i tij, Jurgen Shakri, 25 vjeç. Bëhet e ditur se dy të rinjtë u qëlluan me pistoletë teksa udhëtonin me një makinë tip “Audi” në rrugën “Sabaudin Gabrani”.
Në vendngjarje është gjetur i braktisur një automjet tip “Golf” që paraprakisht dyshohet se është përdorur nga autorët. Gjithashtu, në vendngjarje policia sekuestroi 8 gëzhoja, 4 automjete dhe 2 telefona celularë. Vrapi dhe miku i tij Shakri, morën plagë të lehta në trup dhe u dërguan në spital. Gjatë marrjes së tyre në pyetje, dy të plagosurit dhanë deklarime të pavërteta mbi rrethanat e ngjarjes, ç’ka bëri që policia t’i arrestojë për dëshmi të rreme.
Nga veprimet e para hetimore të kryera në vendngjarje, policia bën me dije se ka identifikuar autorët e dyshuar, por për arsye hetimi nuk jepen të dhëna të tjera. Nga ana e bluve janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit si dhe po krihet zona përrreth me qëllim kapjen e autorëve.
Ndërkohë, shoferit që një ditë më parë e plagosën në Lezhë, dje i është djegur furgoni tip “Benz”. 47-vjeçari me iniciale A. GJ, ditën e martë mbeti i plagosur në këmbë, ndërsa dje policia e Lezhës njoftoi se rreth orës 02:30, është djegur plotësisht një automjet në pronësi 47-vjeçarit, i cili ka qenë i parkuar në ambientet e banesës së shtetasit P.C. banues në Kalivaç.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore që kanë konstatuar se është djegur automjeti furgon “Benz”. Nga veprimet hetimore të deritanishme rezulton që zjarrvënia të jetë e qëllimshme. Punohet për identifikimin e kapjen e autorëve.