Një 30-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri në rrugën “Mikel Maruli”, pranë Unazës së Re në kryeqytet. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme rreth orës 12:30, kur Gentian Rrahmani 30 vjeç nga Kukësi banues në Unazën e Re, u qëllua me pistoletë nga disa persona, të cilët u larguan me një makinë nga vendi i ngjarjes.
I plagosuri mori një plagë në trup dhe u dërgua në Spitalin e Traumës, ku iu nënshtrua një operacioni. Burimet policore thanë se, aktualisht i plagosuri është jashtë rrezikut, por se po pritet konfirmimi i mjekëve. Dyshimet e policisë për ngjarjen janë drejtuar mbi konflikte të mundshme që i plagosuri ka pasur në këtë zonë. Kjo, pasi sipas policisë, Rrahamani njihet prej tyre si person problematik. Së paku një herë ai është arrestuar nga policia për rrahje të një personi pak muaj më parë, ndërsa është liruar më vonë.
Policia shoqëroi në ambientet e saj disa dëshmitarë që mendohet se kanë parë ngjarjen. Këta të fundit i thanë policisë se, konflikti kishte nisur në një studio tatuazhesh në këtë zonë dhe se më pas kishte përfunduar me të shtëna me armë. Policia ka ushtruar kontrolle në banesat e disa personave të dyshuar, por ende nuk ka persona të ndaluar.