Një 51-vjeçar është plagosur me armë në Vlorë. Policia bëri të ditur se një pronar lokali tek “Uji i Ftohtë” në Vlorë është plagosur në këmbë nga një klient. Ai u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. “Më datë 07.12.2017, Salla Operative Vlorë është njoftuar prej Spitalit Rajonal Vlorë se atje ka shkuar për të marrë ndihmë mjekësore një shtetas i plagosur me armë zjarri. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë pranë ambienteve të Spitalit dhe nga verifikimi ka rezultuar se shtetasi D.C., 51 vjeç, është plagosur (në këmbë), me armë zjarri gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta në lokalin e tij në lagjen “Uji i Ftohtë” prej shtetasit E.V., 46 vjeç, (klient në lokal). Policia ka bërë menjëherë shpalljen në kërkim të shtetasit E.V., dhe po punon për kapjen e ndalimin e tij si edhe për zbardhjen e sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.