Një 18-vjeçar është plagosur rëndë me armë zjarri në një fshat të Dibrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 në fshatin Muhur. Dyshohet se, shkak i plagosjes ka qenë konflikti midis dy familjeve Sina në Muhur të Dibrës nisi për lavatriçen e inerteve ngjitur me urën mbi lumin Drin. Prej disa vitesh vëllezërit Sina kishin bërë një marrëveshje për shfrytëzimin e inerteve. Një vit do ta shfrytëzonte njëra familje dhe një vit tjetra. Por mes tyre marrëveshja nuk po funksiononte dhe në pah dolën armët.
Pjesëtarët e të dyja familjeve u përfshinë në një sherr masiv. Më të zellshëm për t’u përplasur ishin fëmijët e dy vëllezërve. Njëri nga djemtë e rinj, Endri Sina 18 vjeç mori dy plumba, një në këmbë dhe një në bark. Pasi mori ndihmën e parë në Spitalin e Peshkopisë, Sina u dërgua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në gjendje të rëndë për jetën. Me mbërritjen e policisë në vendin e ngjarjes, tre nga pjesëtarët e familjes tjetër u shoqëruan në komisariat. Sokol Sina, një nga të shoqëruarit sipas policisë i cili është kushëri me të plagosurin, dyshohet që ka qëlluar me armë.