Një person ka mbetur i plagosur rëndë pas një grindjeje për një vajzë në një lokal në Zall-Herr. Sipas burimeve, konflikti ka ndodhur pasditen e të mërkurës në Zall Herr, mes Albiond Kacës 24 vjeç dhe Jetmir Markut, po 24 vjeç të dy banues në Zall Herr. Sipas policisë, i plagosur mbeti Jetmir Marku, i cili u godit me sende të forta nga Albiond Kaca dhe vëllai i tij, Flamur Kaca 32 vjeç. Të dy vëllezërit Kaca, u arrestuan nga Komisariati i Policisë Nr.5, në Kamëz, me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje në bashkëpunim për motive të dobëta.
Bëhet e ditur se, i plagosuri Marku është dërguar në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas policisë, ai ka marrë goditje në pjesën e pasme të kokës, çka i ka shkaktuar atij hematoma dhe hemoragji. Sipas burimev të policisë incidenti ndodhi në kohën kur Jetmir Marku ka qenë në lokal, ndërsa Albiond Kaca ndodhej në një tavolinë tjetër me të fejuarën e tij.
Burimet e policisë bënë të ditur se, në këtë kohë Marku i cili ndodhej edhe në gjendje të dehur ka debatuar me Kacën për faktin se ai shoqërohej me vajzën që ndodhej me të në tavolinë. Sipas policisë në grindje e sipër, Marku ka goditur Kacën, ndërsa ai është kundërpërgjigjur. Në këtë kohë Albiond Kacës i është bashkuar edhe i vëllai Flamuri. Të dy ata kanë goditur Jetmir Markun me grushte, duke e lënë të plagosur. Pas ngjarjes policia arrestoi dy vëllezërit me akuzën e plagosjes së rëndë në bashkëpunim.