Një punonjës policie është plagosur me thikë mesditën e djeshme në Tiranë. Burimet zyrtare thanë se në sallën e komandimit është dhënë njoftimi për një punonjës policie të plagosur me mjet prerës. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca, ku nga verifikimi paraprak rezulton se ‘tek rrethrrotullimi i Bathores, punonjësi i patrullës, shtetasi Z.P., rreth 50 vjeç, i cili ka qenë i planifikuar me shërbim (patrullë këmbësore) është qëlluar me mjet prerës nga një person ende i paidentifikuar i cili është larguar’.
Punonjësi i policisë është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.