Plagosja e 17-vjeçarit në oborrin e shkollës! Prokurorja ndan detaje nga hetimi: Dy mësuese kanë qenë dëshmitare në momentin e sherrit, ngjarje e rëndë

Prokurorja e ngjarjes në gjimnazin në fshatin Çakran të Fierit, ka folur për mediat lidhur me hetimet e konfliktit me thikë mes dy nxënësve 17-vjeçarë mëngjesin e sotëm.

Oliana Gjergjefi tha për mediat se është ngritur një grup hetimor, i cili ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes për të zbardhur dinamikën e sherrit mes dy nxënësve.

Prokurorja tha se dëshmitarë gjatë momentit që dy adoleshentët janë konfliktuar kanë qenë dy mësuese.

Teksa e cilësoi ngjarjen të rëndë, ajo tha se nuk mund të ndajë detaje të tjera nga hetimi , deri në një moment të dytë.

“Është ngritur grupi hetimor, që ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Gjithashtu kemi pyetur disa dëshmitarë okularë, dy mësuese të cilat kanë qenë të pranishme gjatë konfliktit. Ngjarja është e rëndë, garantojmë hetim të plotë dhe të gjithanshëm, kaq mund të themi për momentin. Nuk mund të deklarojmë asgjë më tej”, u shpreh Gjergjefi.

Kujtojmë se gjatë një konflikti të çastit dy nxënësit nga 17 vjeç secili u përleshën fizikisht, ndërsa njëri prej tyre nxori thikën, duke lënë të plagosur bashkëmoshatarin e tij.

Ndërsa autori me inicial B.D është shoqëruar në polici. Burime bëjnë me dije se autori kishte ardhur në shkollë me thikë me vete.

Burime konfidenciale nga  drejtoria e policisë së Fierit pohojnë se autori ka thënë se janë zënë sapo kanë hyrë në oborr të shkollës, pasi kishin debatuar për një postim në rrjetin social Snapchat mbrëmjen e djeshme.

Mësohet se shkolla në Çakran ka roje edhe oficer sigurie dhe se  kjo është hera e pare qe ndodhin konflikte te tilla në këtë  shkollë.

Në shkollen ku ndodhi ngjarja, kanë mbërritur gjithashtu edhe perfaqësues të Prokurorisë Fier për të hetuar rreth konfliktit mes dy nxënësve.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 08:30, në fshatin Cakran, Fier, në ambjentet e shkollës së mesme Cakran, gjatë një konflikti të çastit mes dy nxënësve, njëri prej tyre shtetasi, B. D.,17 vjeç, ka goditur me mjet prerës në krah bashkëmoshatarin shtetasin Y. Xh, të (dy nxënës të kësaj shkolle).

Shtetasi Y. Xh., u transportua në spitalin Rajonal Fier, për ndihmë mjeksore, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar, në Komisariat për veprime të mëtejshme shtetasin B. D, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (thikë).

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Exit mobile version