Dalin në dritë të tjera detaje nga plagosja e 22-vjeçarit Redi Balla. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:35 të së martës, tek lulishtja në rrethrrotullimin e “Komunës së Parisit” në Tiranë. 22-vjeçari, gjatë natës, iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale për shkak të plagosjes në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në deklarimin paraprak që dha pas ngjarjes, i riu mësohet të këtë thënë: “Po shkoja në shtëpi. Parkova makinën dhe po merresha me celularin kur dikush u afrua dhe me qëlloi. Nuk e pashë se kush ishte sepse mbulova kokën me duar. Nuk e di kush më ka qëlluar”.
Policia po punon me kamerat e sigurisë për të marrë të dhëna që do të çojnë në identifikimin e autorit. Po ashtu po pyeten rrethi shoqëror dhe familjar i Reidi Ballës për të kuptuar nëse ka pasur konflikte. Burime nga policia thonë se 22-vjeçari nuk ka precedentë të mëparshëm penal.