Plan për rikthimin e Gruevskit

Ekziston marrëveshje e fshehtë mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për rikthim të Gruevskit kryeministër dhe Sasho Mijallkovit në postin e drejtorit të DSK-së edhe pse bashkësia ndërkombëtare është kundër një plani të tillë, thonë diplomatë të vendeve perëndimore në Shkup. Sipas tyre, këtë plan mund ta pengojnë vetëm shqiptarët, duke votuar kundër BDI-së. “Ndërkombëtarët janë munduar gjatë kohës ta çlirojnë Ahmetin nga kthetrat e Gruevskit, mirëpo si duket kryetari i BDI-së është futur shumë thellë. Rikthimi i Gruevskit në post kryeministri dhe i Mijallkovit në postin e drejtorit të DSK-së, me siguri do të pasohet edhe me zgjedhjen e Tarçullovskit ministër të Brendshëm. Ky skenar do t’i rrisë tensionet dhe ka gjasa të shkaktojë luftë qytetare në Maqedoni. Këtë skenar mund ta pengojnë vetëm shqiptarët. Nëse BDI merr më pak se 7 deputetë në zjedhjet e së dielës, atëherë Gruevski nuk mund të kthehet në post kryeministri, sepse partitë e tjera shqiptare janë deklaruar qartë se nuk do të bashkëpunojnë me të. Nëse BDI merr më shumë se 7 deputetë, Gruevski do të bëhet prap kryeministër me çka do të vazhdojë ngecja e procesit të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, që do të përcillet me tensione të reja mes shqiptarëve dhe maqedonasve”, ka thënë për “Lajm” një diplomat perëndimor i akredituar në Shkup.

Artikulli paraprakTë dielën zgjedhjet në Maqedoni
Artikulli tjetërKroacia ndalon mbajtjen e të gjitha simboleve totalitare