Plani i Kurtit për bisedimet me Serbinë, do të rishikohen edhe marrëveshjet e mëparshme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 66 vota për, asnjë kundër dhe 10 abstenime, votuan dje formimin e qeverisë e cila do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Kjo u arrit falë marrëveshjes për bashkëqeverisje që të dielën arritën ta nënshkruajnë LVV dhe LDK.

Në programin e përbashkët qeverisës thuhet se: “Qeveria e re do të udhëheqë me përkushtimin e mbrojtjes së interesit kombëtar, shtetëror e shoqëror, në mbrojtje të sovranitetit e integritetit të Republikës së Kosovës”.

Në këtë program nuk mungon edhe çështja e dialogut me Serbinë, e cila konsiderohet si një nga temat më “pikante” në skenë politike, duke pasur parasysh se është thënë shumë herë që brenda këtij viti të përmbyllet procesi i negociatave me Serbinë, shkruan Telegrafi.

Partnerët e koalicionit janë pajtuar që procesi i dialogut të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

“Dialogu me Serbinë udhëhiqet nga Kryeministri mbi bazën e mandatit kushtetues. Dialogu zhvillohet për çështjet e raporteve bilaterale dhe të fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu çështjen e të pagjeturve, reparacioneve të luftës e okupimit, suksesionit të ish-Federatës Jugosllave, në të cilën Kosova ishte element konstitutiv, si dhe për njohje të ndërsjellë midis dy shteteve”, thuhet në marrëveshjen për bashkëqeverisje të LVV-LDK.

Më tej në këtë marrëveshje thuhet se në Kuvendin e Kosovës për dialog duhet të miratohet një rezolutë/platformë me 2/3 e votave, e cila do të përfshijë parimet në bazë të të cilave duhet të zhvillohet dialogu, shkruan Telegrafi.

Po ashtu, LVV-LDK kanë paraparë që temë e dialogut nuk mund të jenë çështjet që lidhen me integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit.

“Temë e dialogut nuk mund të jenë çështjet që lidhen me integritetin territorial, sovranitetin e vendit, rregullimin dhe funksionalitetin e brendshëm të vendit, karakterin unitar apo krijimin e pushtetit të tretë për vendbanime me popullsi serbe. Kryeministri raporton në Kuvend në baza të rregullta për procesin e dialogut”, thuhet në marrëveshjen për programin qeverisës.

Më tej në marrëveshje thuhet se do të bëhet një rishikim i plotë i marrëveshjeve të arritura deri më tani, për të parë nivelin e zbatimit të tyre nga ana e Serbisë dhe në bashkëpunim me BE-në do të ngritën këto çështje në tavolinën e dialogut.

Artikulli paraprak‘Anti-KÇK’, një shpresë e lindur e vdekur
Artikulli tjetër“Arrestojnë njerëz që shesin kokoshka dhe”…