Plani i Piolit!

Stefano Piolit i rezervoi fati një debutim “bombë”. Statistikat e trajnerit të ri të Interit “qajnë” në duelet derbi (i ka përjetuar në Romë si trajner i Lacios) dhe ato kundër “Djallit”. Por ngjyrat zikaltër i kanë dhënë një tjetër dimension teknikut, i cili po bën gjithçka që t’u prezantohet tifozëve të tij të ri me një fitore kundër “kushërinjve” të urryer.
Ai ka dashur që të motivojë edhe më shumë të tijtë, duke dhënë një prononcim të shkurtër për klubin. Më pas, ky i fundit publikoi gjithçka nëpërmjet një “cicërime” në Twitter. “Në këto momente po na përshkojnë emocione të forta, por ne duhet që të bëjmë të mundur që të tilla ndjesi të na lejojnë që të shkojmë në formë në këtë takim të madh. Duhet të jemi të përqendruar dhe të mos humbim durimin, sepse pikësynimi ynë është që të marrim fitoren”, ishte prononcimi i shkurtër i trajnerit.
Sa i përket skemës dhe formacionit, deri në seancën e fundit stërvitore nuk mund të thuhet asgjë me bindje të plotë. Pioli do të ngatërrojë mirë letrat përpara se të prezantohet përballë “Djallit” të Montelës. Pioli e di fare mirë se çfarë nuk funksionin tek Interi dhe gjithashtu ka pasur shansin që të shikojë përmirësimin e Milanit nën drejtimin e Montelës. Tani për tani, i sigurt është vetëm moduli. Mendohet se Pioli do të rreshtojë të tijtë me skemën 4-3-3.
Frenk de Bur ankohej shpesh për rendimentin e dobët në aspektin fizik të zikaltërve. Holandezi ankohej, pasi shikonte se Ikardi “braktisej” i vetëm në zonat kundërshtare dhe askush nuk shkonte në ndihmë. Për të zgjidhur këtë problem, Pioli ka menduar që të avancojë Kandrevën, i cili është rekomanduar që të luajë pranë argjentinasit.
Në të djathtë do të spostohet Brozoviç, i cili kryen më së miri këtë rol te Kroacia. Kjo lëvizje nuk do të jetë risia e vetme në lidhje me formacionin. Pioli ka preferuar Brozoviçin përballë Banegës, ndërkohë që përpara mbrojtjes do të aktivizohet Zhoao Mario, i cili do të mbrohet prej Xhorfi Kondogbias.
Ashtu si Roberto Mançini dy sezone më parë edhe Stefano Pioli e nis me derbin ndaj Milanit aventurën e tij në krye të stolit të Interit. Një start i ndërlikuar për ish-trajnerin e Lazios, të cilit i është besuar detyra e vështirë për të rikthyer skuadrën zikaltër në rrugën e duhur pas një fillimi aspak pozitiv të sezonit. Megjithatë Pioli është gati dhe nuk ka frikë, madje 51-vjeçari beson se të dielën në mbrëmje në “San Siro”, do të jetë skuadra e tij që do të triumfojë në derbin e Milanos. Pioli e nisi me një grup të cunguar futbollistësh punën e tij te Interi për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, megjithatë prej pak ditësh ai ka në dispozicion edhe elementë të tillë si Kandreva, Eder, Brozoviç, Perisiç, Jovetiç e Zhoao Mario.
Në pritje të amerikanojugorëve, trajneri italian mesa duket e ka përcaktuar formacionin me të cilin do të zbresë në fushë Interi ndaj kuqezinjve të Vinçenco Montelës. Por për trajnerin e ri të Interit pak rëndësi ka se kush do të luajë, e rëndësishme është që ata futbollistë që do të zbresin në fushë të shfaqin më të mirën e tyre dhe të ndihmojnë skuadrën për të marrë fitoren. Me një lider si Ikardi në fushë, i cili do të kërkojë të zhbllokohet sepse nuk i ka shënuar asnjëherë Milanit, Pioli ka besim se Interi i tij do të marrë tre pikët në derbi.

Exit mobile version