Plani për shpopullimin e gjysmës së popullsisë dhe kontrollin me oligarkë

Projekt më të mirë për shpopullimin, plakjen e popullsisë dhe krijimit të kushteve që brezi i ri të jetë në pesimizëm të thellë, nuk mund të ketë sesa ai i kryeministrit Edi Rama. Në pesë vite qeverisje me politikat e ndjekura, ka mundur që të degdisë drejt vendeve të BE-së për të kërkuar azil ekonomik mbi 300 mijë qytetarë shqiptarë. Pjesa më e madhe janë të rinj dhe një shifër po aq alarmante përbëjnë edhe të miturit.
Gjatë ditës së sotme dolën të dhënat zyrtare të Eurostat ku e rendisin Shqipërinë në vendin e parë në Europë për kerkesat e azilkërkuesve. Në tremujorin e dytë të vitit 2018, aplikuan për herë të parë për azil 3930 persona, apo 3% e totalit të azil kërkuesve në Bashkimin Europian. Gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2018, numri në total i aplikimeve për herë të parë nga shqiptarët për azil llogaritet 8040.
Franca rezulton të jetë vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve edhe për tremujorin e dytë të 2018-s, me 38% të kërkesave, apo rreth 1495 aplikues. Jo më kot ky shtet vendosi veton bashkë me Holandën që Shqipëria të mos merrte hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE, pasi një nga pikat shqetësuese ishte pikërisht rritja e numrit të azilkërkuesve.
Kryeministri Rama pak muaj më parë i ftuar ne “France 24”, dhe ndërsa po fliste si një “lider global”, u pyet nëse i vente keq për shqiptarët që po largohen drejt vendeve të BE-së për azil.

“Nuk me vjen keq, sepse historia tregon se vendet më të pasura të Europës kanë qenë të varfëra, por njerëzit kanë emigruar, kanë ndihmuar familjet, kanë mësuar gjëra të reja dhe janë rikthyer duke pasuruar vendet e tyre”- u shpreh kryeministri.
Rama e kupton mirë se kjo që po ndodh nuk është një emigrim ekonomik, por azil, ku mijëra shqiptarë qëndrojnë në kampe bashë me emigrantët që mbërrijnë nga lufta, sirianë, afganë, irakenë apo afrikanë. Mbajnë radhën për një pjatë supë dhe jetojnë në ndërtesa sociale pa higjenë, pa të ardhme dhe mbi të gjitha me frikën se punonjësit social dhe policia mund t’ia behin edhe në mes të natës për t’i dëbuar drejt Shqipërisë.
Këtë kryeministri e ka të qartë se afër 300 mijë azilantë që ka “prodhur” në pesë vite qeverisje, mezi mbajnë frymën në vendet ku janë dhe jo më të kthehen me disa të ardhura, e aq më shumë të jenë në gjendje të investojnë. Kjo është një shpopullim për motive ende të paqarta, por ngado të vërtitet është në shërbim të fqinjëve tanë, që rritjen e popullsisë të shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve e shihnin me rrezik.
Rama nuk ka asnjë shqetësim, fundja në dhjetë vite me këtë ritëm largimesh mund të qeverisë 1.5 milionë shqiptarë, ku vetëm 5 kompani të mëdha oligarkësh do kontrollojnë ekonominë dhe votat që i duhen për të mbajtur pushtetin do mundë t’i sigurjë me blerje, apo edhe me vetëm punonjësit e administratës. Plani i errët i kryeministrit, (që e aplikon me sukses), mbetet që shqipërinë ta kthejë në një “principatë të vogël” dhe veten ta konsiderojë “lider global”. Atij nuk i duhen shqiptarët që kërkojnë një jetë më të mirë, që kanë kërkesa për standarte dhe mundësia e artë për ta zhdukur këtë elektorat qytetar mbetet që të bëjë gjithçka për t’i larguar për azil drejt BE-së.

“Boldnews.al”

Artikulli paraprakBabëzia/ Drejtori i PS zapton pronën publike dhe ndërton pa leje, Berisha publikon fotot
Artikulli tjetërI çmenduri kriminalizon edhe shkollat, ja si shitet droga në gjimnazet e Tiranës