Sali Berisha shpalli nga dritarja e katit të 8 që PD ka vendosur të marrë pjesë në Komisionin “Xhafaj”. Ai tha se ky vendim u mor për të demaskuar Dumanin dhe grupin e prokurorëve të SPAK.
Në të vërtetë, ky vendim, pra pjesëmarrja e deputetëve të Berishës në komisionin Xhafaj, ka qenë që në fillim pjesë negociatave të fshehta të verës me njerëzit e mazhorancës. E cila nga ana e saj nuk ka folur fare, por që duket se gjërat janë ‘qepur’ mirë e fort.
Deputetët e PS-së, por edhe vetë Edi Rama, ka deklaruar se komisioni i posaçëm nuk do të ketë të bëjë me kompetencat e SPAK, duke shtuar se gjithçka bëhet për ta kthyer reformën në Drejtësi të pakthyeshme.
Ndërkaq, vetëm pakti me Sali Berishën, një politikan i ndëshkuar nga Perëndimi, pikërisht sepse kërkon ta zerojë reformën në Drejtësi, është një skandal më vete.
Por lepuri natyrisht që fle gjetkë, e siç duket, si Berisha ashtu dhe aleati i tij Ilir Meta, që kanë negociuar dhe më pas bënë pakt me Edi Ramën, e kanë planin gati.
Plan, i cili është hartuar në mënyrën më diabolike të mundshme. Gjatë mbledhjeve të komisionit, të dërguarit e Sali Berishës, do të nisin të ashtuquajturin operacion “Balta” për të hedhur në transmetime direkte sulme ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, si dhe prokurorëve e gjyqtarëve që kanë çështjet ndaj Sali Berishës, familjarëve të tyre dhe Ilir Metës.
Synimi është i qartë; për ta kthyer shantazhin ndaj SPAK në një nivel të lartë politik, në aureolën e Parlamentit shqiptar. Shantazh, që nuk është i një niveli si fjalimet e Sali Berishës në katin e tetë, apo të Ilir Metës pas dy dopjeve raki te selia e tij, në rrugën e bllokut.
Në mos shumë, do të ndikojë sadopak të gjendja e prokurorëve, të cilët së paku do të humbin fokusimin, pasi duhet të merren me pallavrat që do të thuhen në Kuvend.
Plani i Berishës është edhe më i avancuar, pasi deputetët e Komisionit të Posaçëm kanë të drejtë të thërrasin edhe prokurorët e SPAK. Natyrisht loja do të hartohet me kujdes, që t’i thërrasin për këshilla e mendime për t’i “ndihmuar” me legjislacion. Kërkesë që do të bëhet madje edhe nga deputetët e PS-së. Por pikërisht në këto seanca që transmetohen direkt, do të nisë “operacioni Balta”. I cili do të lejohet nga Edi Rama për t’i bërë edhe ai presion SPAK-ut për njerëzit e tij.
E gjithë kjo ka ndodhur përpara se të vijë ambasadori amerikan në Tiranë, David Kostelançik. Në mënyrë që ai të gjendet përpara një fakti të kryer, e në vend që të merret me një ofensivë kundër korrupsionit, do t’i duhet të zbusë situatën.
Është një plan i hartuar nga Rama e Berisha, por duhet thënë se gjithmonë mjeshtrat matanë Atlantikut i kanë parashikuar, e ka shumë mundësi që t’ia djegin para kohe, siç gjithmonë kanë bërë.
Në këtë rast si Rama, ashtu edhe Berisha e di mirë këtë, por nuk kanë rrugë tjetër. Ndaj është një lëvizje e dëshpëruar për t’u zvarritur sa të munden./Pamfleti