Besnik ALIAJ
Në fillim të këtij viti qeveria shqiptare mbështeti financiarisht hartimin e planit rregullues për Bashkinë Tiranë, që përtej zhargonit qytetar njihet ligjërisht si PPV, plani i përgjithshëm vendor.
Shumë u fol për të në fillim! Dy studio të huaja dhe ekspertë vendas u kontraktuan. U bënë intervista në TV. Disa vizita “study tours” jashtë. U hap një llogari komunikimi në FB me prezantime “slide ppt” në anglisht, dhe kaq. Dikush një kritik dhe analist i huaj që jeton në Tiranë papritur shkroi edhe një shkrim ku dekonspiroi mënyrën jo korrekte të procesit të hartimit të planit përmes tentativës për të emëruar oponencën për këtë plan që ishte një turp më vete. Kjo është çfarë kemi parë e dëgjuar!
Ndërkohë me përjashtim të 2-3 takimeve në rrethe mjaft të mbyllura dhe shumica me natyrë partiake, është pretenduar se janë bërë konsulta publike të parashikuara me ligj. Në fakt publiku nuk është informuar fare as çfarë është diskutuar në këto takime dhe as çfarë idesh ka vetë plani! S’ka pat as transmetime live, veç kronika shkurt të përgatitura HD. Ajo që kemi parë e dëgjuar nga mesazhet mediatike të kontrolluara në këto takime të pakta, ka qenë më shumë sulme verbale politike të kryetarit të bashkisë kundër protestuesve në rastin e parkut të liqenit apo stadiumit që u shemb, si dhe anatemime kundër opozitës të cilësuar si “armike”.
Deri më sot nuk ka asnjë ide publike se çfarë do të ndodhë pikërisht në këto zona që u përmendën më sipër? Po në qendër? Po në periferi? Në zonën rurale dhe pas Dajtit? Në zonat ekonomike apo universitare? Po në zonat informale dhe periurbane? A do të miksohen apo ndahen këto funksione? Apo ka ndonjë model tjetër zhvillimi? Cila do të jetë ekonomia e Tiranës në 15-20 vjet? Çfarë popullsie do të akomodojë e argëtojë ajo? Si do të konkurrojë Tirana në nivel kombëtar dhe rajon e më gjerë?
Askush nuk di gjë! E vetmja gjë që është artikuluar janë tarracat e gjelbërta të banesave dhe rizhvillimi i banesave të kohës së komunizmit! Sepse gjithçka tjetër është mbajt e fshehtë, gati okulte!
A është kjo paaftësi për të realizuar pjesëmarrje, transparencë apo gjithpërfshirje dhe qeverisje të mirë? A ka vullnet për një pakt social për të ecur para apo është strategji heshtja dhe okultizmi? Në fakt ka kohë që bashkia nuk jep info publike për projektet edhe në rastet e parashikuar me ligj për këtë qëllim! Imagjinoni që as komisioni respektiv i këshillit bashkiak për planifikimin dhe zhvillimin e territorit që normalisht mbulon këtë çështje ligjërisht, nuk ka absolutisht dijeni dhe as është ftuar ndonjëherë të japë mendim! Sa për opozitën dhe grupet e interesit e sidomos grupimet qytetare kritike ato janë injoruar duke u shpallur armike.
Në këtë mungesë totale informacioni dhe transparence duket më shumë se drejtuesit e bashkisë kanë vendosur të mos kenë opinion për Tiranën sot dhe nesër! Ata po funksionojnë më shumë si një komitet ekzekutiv i dikurshëm që vetëm merr dhe zbaton vetëm urdhrat nga lart. Mjafton të konstatoni se si bashkia lyen fasadat siç ka bërë shefi dikur! Rregullon Rrugën e Durrësit si shefi 10 vjet e kusur më parë! Hesht për shembjen e stadiumin trashëgimi? Madje sakrifikon veten për parkun vetëm se s’do t’i prishë punë premtimeve të qeverisë? Bën qendrën me shesh e kulla si ka parashikuar shefi më 2003! Pra, çdo gjë në vendnumëro e prapa kthehu! Sikur nuk ka më shumë se një dekadë që ka kaluar dhe mjaft gjëra kanë evoluar. Sikur nuk e dimë se entuziazmi i 2003 tashmë është një tullumbace e shfryrë nga çdo pikëpamje dhe qyteti është në krizë! A ka kjo bashki një vizion apo mbetet krah ekzekutiv i qeverisë qendrore? Po qytetarët ku janë këtu?
E në këtë model qeverisje plot heshtje, politizim, agresivitet mediatik, shtrohet një pyetje që kërkon përgjigje: Cili jeni ju zoti kryetar i bashkisë? A po punoni ju për sipërmarrësit dhe njerëzit e thjeshtë që individualisht ose me biznes familjar rropaten çdo ditë për të mbajtur familjen me bukë kur shteti i ka braktisur totalisht? A po punoni ju për ta apo po i riktheni përsëri në lumpen? Apo po e koncentroni ju pushtetin në një grup klientelist dhe oligarkik që po akumulon çdo ditë më shumë pushtetin ekonomik dhe mediatik të shoqërisë? A po ndërtoni ju përmes këtij modeli qeverisje një kastë-regjim politik që kamxhikon juntën ekonomiko-mediatike për të qeverisur lehtësisht pastaj këtë vend dhe shoqëri lumpën? Kush janë këshilltarët tuaj? Çfarë ideologjie dhe përvoje përfaqësojnë ata në botë? A po shkojmë në Europë apo në Amerikën Latine?
Dhe më konkretisht: Çfarë po ndodh me zonën, infrastrukturën dhe pasuritë e patundshme rrotull parkut të liqenit ku ju rrahët dhe burgosët njerëz për 5 lojëra “fëmijësh”? Çfarë po ndodh me zonën rrotull Sheshit “Skënderbej”? A do të zbatohet atje plani i ashtuquajtur “francez”? Kush përfiton nga ky spekulim imobiliar? Sepse nga do të vijnë paratë dhe kërkesa në treg që do të justifikojnë këto zhvillime? Po me zgjatimin e bulevardit në veri çfarë po ndodh? Çfarë po bëhet me transportin publik dhe trafikun vrastar? Çfarë po bëhet me ujin e pijshëm dhe mbetjet? Po me përmbytjet dhe me parqet, me komplekset sportive dhe cilësinë e jetesës? Po me arsimin dhe kulturën? Po me ndotjen e ajrit dhe mjedisit? Po me procedurat dhe taksat për leje biznesi, ndërtimi dhe zbatimi? Si ka mundësi që shpenzojmë për strehim dhe kemi të pastrehë? A do të na vdesin akoma njerëz e fëmijë në landfill?
E kur anëtarët e Këshillit Bashkiak nuk dinë asgjë ndërkohë që e kanë kompetencë ligjore, vaj halli me të tjerët? Ju mund të thoni të pavërteta se ju kemi ftuar po s’keni ardhur! Ju mund edhe të bëni tani ftesa formale, por ato s’kanë asnjë vlerë pasi është tepër vonë! Më duhet të them ky plan ka vdekur pa lindur! Ai nuk përfaqëson as interesat dhe as vizionin e shoqërisë. Një shoqëri që e duam moderne europiane më 2030. Ndërkohë që praktikat tuaja ngjasojnë në rastin më të mirë me një plan “ala Chavez” në Venezuelë!