Plantacionet me drogë në vendlindjen e Tahirit

Plantacionet me hashash në zonat e Tepelenës, kryesisht në Gusmar që është vendlindja e Saimir Tahirit dhe shumë drejtuesve të policisë, tregojnë realitetin e kanabizimit të vendit, një realitet dramatik për Shqipërinë, që Edi Rama mundohet ta mohojë

 

Partia Demokratike denoncoi dje me pamje dhe figurë plantancione të tëra droge të mbjella në vendlindjen e Ministrit Tahiri. Mjafton një udhëtim 20 minuta larg aksit kombëtar në rrethinat e Tepelenës për të parë se si lulëzon biznesi kriminal i drogës që drejtohet nga Edi Rama, përmes të licencuarit të tij Saimir Tahiri. Plantacionet me hashash në zonat e Tepelenës, kryesisht në Gusmar që është vendlindja e Saimir Tahirit dhe shumë drejtuesve të policisë, tregojnë realitetin e kanabizimit të vendit, një realitet dramatik për Shqipërinë, që Edi Rama mundohet ta mohojë. Në fillim, garda e parë e kanabisit janë postblloqet e policisë, më pas kalon 2 ose 3 postblloqe me banditë të armatosur deri në fyt, që qëndrojnë në makina superluksoze.
Sekretari për Aksionin Qytetar në Partinë Demokratike, Ervin Salianji arriti të shkelë në këto parcela kanabisi dhe denoncoi në vendngjarje këtë biznes kriminal që sjell miliona euro përfitime për bandat e Edi Ramës, e për atë vetë që përmes skemës kriminale merr 30 për qindëshin, biznes që rritet mbi mjerimin e fshatarëve të zonave, që shfrytëzohen me 10 ose 20 mijë lekë të vjetra në ditë. “Pas qindra denoncimeve me foto dhe video të bëra nga Partia Demokratike dhe të përgënjeshtruara me turp nga ministri i Brendshëm dhe Kryeministri, sot jam në emër të Partisë Demokratike për t’u treguar edhe një herë tjetër se sa lehtësisht gjenden këto dëshmi tronditëse të mbjelljes së Shqipërisë me drogë, me kanabis sativa. Drogë, e cila mbillet me bekimin e ministrit të Brendshëm, me marrjen e 30 për qindëshit për çdo rrënjë nga ana e drejtuesve të policisë, para që shkojnë drejtpërdrejtë tek Saimir Tahiri, tek Edi Rama. Kjo është një dëshmi tjetër se si sovraniteti i shtetit është dorëzuar në celula trafikante, të cilët shfrytëzojnë një popull të mjerë, një popull të lënë në mjerim e varfëri nga kjo qeveri, për t’u përdorur për mbjellje droge. Kjo nuk kërkon ligj të ri, por kërkon vetëm vullnet politik. Kjo kërkon vetëm çmontim të bandave në qeverisje. Kjo kërkon vetëm çmontim të krimit të lidhur me pushtetin dhe pushtetit të lidhur me krimin. Koha e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit ka mbaruar”, tha Salianji.
Nga veriu në jug, Shqipëria është mbjellë tërësisht me drogë. Plantacionet, ashtu si edhe trafikantët janë të paprekshëm. 30 për qind e fitimit të çdo bime të mbjellë, ndahet mes shefave të policisë dhe Tahirit. Ky është pazari që garanton mbjelljen, rritjen, korrjen dhe transportin e drogës. Pamjet janë filmuar pikërisht në zonën e Lumit të Vlorës, aty ku Habilaj e Tahiri kanë kontroll absolut mbi territorin.
Parcela pa fund që lulëzojnë, që sjellin qindra milionë euro për bandat e trafikantët, për njerëzit e afërt të Tahirit, i cili, përveç shumë garancive të tjera, u dha habilajve edhe makinën e tij private, taksinë e drogës AA 003 GB, për t’u siguruar paprekshmëri e semafor jeshil për lëvizjet e tyre.
Me ardhjen e “Rilindjes” në pushtet, kultivimi i kanabisit mori një hov të gjerë. Harta e Shqipërisë ka marrë ngjyrën e drogës. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur pushtimi masiv i vendit nga kanabisi siç po ndodh nën këtë qeverisje, me mbikëqyrjen e ministrit të Brendshëm. Propaganda false e mashtruese të disa rrënjëve që nxjerr qeveria në ekran gjoja si sukses të luftës ndaj drogës është një fasadë.
Tahiri konsideron sukses të policisë drogën
Reagimi i Tahirit dhe ministrisë që drejton ka qenë surprizues. Ai thotë se droga është një sukses i qeverisë dhe ministrisë. Në asnjë rresht të deklaratës nuk flitet për të marrë masa dhe për të asgjësuar drogën në fshatin e tij të lindjes. Arsyeja është e thjeshtë. Pas drogës në Gusmarin ku ai ka lindur qëndrojnë njerëzit e tij. Ata e kanë mbjellur drogën me bekimin e ministrit, e kultivojnë dhe do ja dorëzojnë po Tahirit që ta shesë në tregun ilegal europian. Deklarata e plotë e Ministrisë është shprehje e qartë se Shqipëria e kthyer në një plantacion gjigand kanabisi është produkt i Ramës dhe Tahirit. “Nuk janë të rralla rastet kur PD ka bërë politikë me punën e policisë, ashtu siç nuk është hera e parë që PD bën politikë me rezultatet dhe sukseset e saj.
Policia e Shtetit thekson se lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është një luftë e përditshme. Këtë e dëshmojnë rezultatet e arritura, të cilat nuk kanë asnjë referencë krahasimi me kohën e qeverisjes së PD.
Lufta kundër kultivimit të kanabis nuk është e nuk mund të jetë provë e pretendimeve të PD, por vetëm provë e luftës që bën Policia e Shtetit ditë për ditë. Ftojmë PD të denoncojë raste konkrete pranë autoriteteve të ligjit, e jo të bëjë politikë, aq më pak me vetë punën dhe rezultatet e policisë së shtetit në luftën kundër drogës”, thuhet në deklaratë.

Exit mobile version