Tirana vazhdon të përjetojë një transformim të shpejtë urban, ku ndërtimet e reja dominojnë në lartësi peizazhin e qytetit. Kjo qasje po shihet qartë në zonën rreth Liqenit Artificial, apo rrugët që të çojnë drejt parkut.
Projekti i radhës është “Platinum Residence”, një pallat 12-katësh që po ngrihet krah rrugës “Sami Frashëri”, pranë Art Turbina. Ndërtimi ka nisur mbi bazën e një leje të datës 26 maj 2023 nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, dhe pritet të përfundojë brenda tre vitesh.
Projekti është investim i kompanisë Al-Konstruksion e lidhur me Vega të Aleksandër Gavoçit, e cila në fillim-vitet 2000 ka ndërtuar kompleksin mes rrugës Sami Frashëri dhe Marko Boçari.
E shkuara e trazuar me pretendimet rreth truallit
Një kalvar i gjatë pretendimesh pronësie në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë përshkallëzoi në përplasje me policinë dhe përmbaruesit. Ishte marsi i vitit 2019 kur familjet Llapaj dhe Dervishi kundërshtuan një vendim gjykate që i njihte pronësinë e truallit ku ata kishin shtëpitë sipërmarrësve Aleksandër e Ilir Gavoçi.
Vëllezërit Gavoçi rezultonin trashëgimtarë të pretendimeve për pronën nga familja e Ali Rizanit, të cilit regjimi diktatorial ia kishte sekuestruar në vitin 1949.
Lexo më shumë rreth serisë “Tirana Vertikale” që shpjegon ndërtimet në kryeqytet.
Familjet Llapaj e Dervishi kishin përfituar në vitet 90-të shtetëzimin e një ndërtese të ngritur gjatë diktaturës dhe ishin në proces legalizimi për një shtesë dykatëshe. Ata e konsideronin vendimin e gjykatës të padrejtë.
Rreth gjashtë orë përplasje të dhunshme me forcat e rendit tronditën mbarë opinionin publik teksa dy familjet me 15 anëtarë ankoheshin se vëllezërit Gavoçi kishin përfituar nga sistemi i korruptuar i drejtësisë. Ata madje pretenduan se ata kishin dalë nga fjala e tyre për t’iu dhënë apartamente në këmbim të lirimit të truallit.
Por vetë Aleksandër Gavoçi, njohur si sipërmarrës ndërtimi me kompaninë Vega, konfirmoi në media vullnetin për t’iu dhënë zgjidhje familjarëve teksa pak ditë më vonë banesat u shembën.
Tranformimi i zonës
Katër vite pasi siguruan truallin me përplasje publike, sipërmarrësit e kompanisë Vega siguruan lejen për ndërtimin e pallatit që ngushton edhe më tej hapësirën e rrugës Sami Frashëri krah ArtTurbinës.
Plantium Residencce i shtohet kullave të tjera shumëkatëshe që po tranformojnë zonën rreth liqenit dhe rrugëve që të çojnë drejt parkut.
Zona ka pësuar tkurrje të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Sipas raportit “Linjat bazë për mbrojtjen dhe zhvillimin e parkut të Tiranës”, sipërfaqja e parkut është zvogëluar me 40-45 hektarë, një humbje që bie ndesh me parimin që kërkon zgjerimin e hapësirave të gjelbra përballë rritjes së popullsisë.
United Towers of Tirana është një tjetër kullë që është ndërtuar në rrugët drejt liqenit ngjashëm si Lake View Residences, apo dhe kulla të tjera, të cilat kanë ngjallur shqetësime për ndikimin që kanë mbi hapësirat publike dhe cilësinë e jetës në qytet.
Ndërsa Tirana vazhdon të zgjerohet, dilemat mbi balancimin e zhvillimit urban dhe ruajtjen e hapësirave të gjelbra mbeten shqetësuese se kurrë.
Citizens.al