Në mediat italiane ka zënë vend mbrëmjen e kësaj të premteje lajmi mbi mënyrën e trajtimit të policëve të vendit fqinj që do të angazhohen në kampin e Gjadrit. Corriere della Sera ka publikuar dokumentin e shpenzimeve sipas të cilit, qeveria e Giorgia Melonit do të harxhojë 9 milionë euro në vit për paga dhe akomodimin e këtyre efektivëve.
Kostoja e kampit të Gjadrit ka qenë një nga kritikat më të mëdha të mediave dhe opozitës ndaj qeverisë italiane. Tashmë mësohet se efektivët e policisë italiane do të akomodohen në një nga hotelet me 5 yje të Shëngjinit.
“Jo vetëm paga luksoze, standardi 100 euro në ditë që përfitohet për misionet jashtë vendit, por edhe akomodim luksoz. Kjo do të rëndojë arkën e shtetit me gati 9 milionë euro për 12 muaj” – shkruan La Repubblica që thekson se kjo është një shifër e madhe për 295 oficerët e policisë dhe karabinierët e stacionuar në Shqipëri prej disa kohësh që janë duke ruajtur aktualisht dy qendrat bosh të Shegjinit dhe Gjadrit.
“Për ushqimin dhe akomodimin për secilin prej tyre, Ministria e Brendshme do të shpenzojë 80 euro, një shifër mjaft e respektueshme në Shqipëri, ku çmimet dhe fuqia blerëse janë shumë të ndryshme nga Italia. Për më tepër, strukturat e Rafaelo Resort janë kategori luksoze dhe strukturat ‘Rafaelo Executive’ dhe ‘Hotel Comfort’ të zgjedhura për të pritur agjentët janë dy hotele bregdetare me 5 dhe 4 yje me plazh privat, qendër Wellness, pishina dhe restorant.
Për momentin nuk është e qartë nëse është bërë ndonjë tender për të identifikuar zgjidhjen më optimale. Me siguri dihet se marrëveshja ndërmjet grupit Rafaelo dhe Ministrisë së Brendshme është 12-mujore dhe përfshin “akomodimin në një dhomë teke, katering dhe shërbime të ngjashme”, si dhe “përdorim ekskluziv të restorantit Comfort Family” – shkruan ndër të tjera La Repubblica.
“Marrëveshja me Shqipërinë vazhdon të shkaktojë dëme. Shkeljeve e të drejtave të njeriut në një operacion që drejtësia tashmë e ka cilësuar si të paligjshëm, i shtohet edhe shpërdorimi i madh i parave. Është një skandal, i përjetësuar edhe në dëm të qytetarëve italianë” – u shpreh sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, e cila vijon: “Giorgia Meloni po djeg miliona të tjera para publike për të pritur forcat e policisë italiane në resortet shqiptare. Agjentë që do të ishin shumë më të dobishëm në Itali, ku nuk kanë kushtet më të mira për të bërë punën e tyre”.
Ka reaguar edhe Riccardo Magi i partisë “+Europa”: “Giorgia Meloni ka bërë të gjitha gabimet në qendrat e paraburgimit të emigrantëve në Shqipëri. 9 milionë eurot për akomodimin e policëve të punësuar në qendrat shqiptare janë pjesë e faturës që po paguajnë italianët për këtë acarim të përgjakshëm propagandistik të kryeministres” – shkruan ai.