Dritan Leli nuk do jetë më pjesë e ekipit të PS dhe fushatës së PS në Vlorë. Kryeministri Edi Rama kërkon përjashtimin e kryebashkiakut të Vlorës Dritan Leli nga Partia Socialiste. Gazetari Ergys Gjençaj raportoi për “BalkanWeb” se Rama iu ka dërguar një mesazh anëtarëve të asamblesë së PS, dega Vlorë ku kërkon përjashtimin e tij.
“Dritan Leli nuk është më pjesë e jona”, thuhet në mesazhin e Ramës, që vjen pak ditë pasi kryebashkiaku i Vlorës refuzoi propozimin e Ramës për të qenë në listën e kandidatëve për deputetë të PS në Vlorë.
Të hënën pak minuta para zyrtarizimit të listës së kandidatëve të PS për deputetë në 12 qarqe, kryeministri Edi Rama i pyetur se çfarë kërkese apo propozimi të ri i ka bërë Dritan Lelit, tha se është e vërtetë që e ka propozuar, por ai nuk e ka parë të arsyeshme të bëhet pjesë e skuadrës dhe se me të, pa të skuadra në Vlorë do realizojë objektivin bazë.
“Në formimin e një skuadre ka dinamika të brendshme. Këtu nuk ka rëndësi fare se çfarë ka menduar njëri apo tjetri. Është e vërtetë që unë i kam propozuar që ai të bëhet pjesë e skuadrës, nuk e ka parë të arsyeshme, është zgjedhja e tij. Me të, pa të skuadra jonë në Vlorë do realizojë objektivin bazë dhe do shkojë shumë afër objektivit maksimal që është plotësisht i mundur sipas meje, s’ka asnjë problem”, deklaroi Rama.
Kandidatët e PS në qarkun e Vlorës
1. Pranvera Resulaj
2. Anduel Tahiraj
3. Vullnet Sinaj
4. Anila Denaj
5. Niko Kuri
6. Ilir Metaj
7. Damian Gjiknuri
8. Edi Rama
9. Teuta Rama
10. Ervis Mocka
11. Alket Hyseni (u tërhoq)
12. Laura Ferhati