Polemika te Rumania, në prag të ndeshjes së fundit në grup kundër Shqipërisë. Në qendër të akuzave është trajneri Anghel Iordanescu, për mënyrën si ka menaxhuar grupin e lojtarëve dhe për rezultatet e regjistruara në Euro 2016. Ionel Ganea, ish-sulmuesi që në 36 ndeshje ka realizuar 19 gola me përfaqësuesen rumune, akuzoi drejtuesin e stolit për paaftësi dhe një koncept futbolli të prapambetur.
“I dëgjova deklaratat e trajnerit, sipas të cilit futbollistët nuk janë të përgatitur për të luajtur në çdo tre ditë. Në këndvështrimin tim është diçka e pakonceptueshme. Nuk ka dyshime që në këtë pikë faji është vetëm i Iordanescut. Ai nuk ka qenë në futbollin aktiv për 10 vjet, nuk është i përditësuar me atë që ndodh në futbollin modern dhe pasojat po i paguan Kombëtarja rumune. Emërimi i Iordanescu-t në stol ishte gabimi më i madh i federatës”, u shpreh Ganea.
Sipas Ionel Ganea, me një trajner tjetër në stol, Rumania do të kishte grumbulluar më tepër se një pikë në dy ndeshje, ndërsa kritika kishte edhe për lojtarët, që mund të kishin bërë më tepër, për të mos e luajtur nën presion, ndeshjen e fundit në grup me Shqipërinë. “Me Francën luajtëm mirë, por humbëm. Ndaj Zvicrës skuadra luajti shumë në mbrojtje dhe pësoi një gol të ngjashëm si ndaj Francës. Në këtë mënyrë, Rumania humbi pikë të rëndësishme. Përveç trajnerit që ka mendësi të vjetër, prisja më shumë nga lojtarët kryesorë të ekipit, por të gjithë kërkojnë alibi të justifikojnë ecurinë e dobët”, përfundoi ai.
Te Rumania, pas asaj pike të marrë ndaj përfaqësueses helvete në “Parc Des Princes”, e kanë hedhur vështrimin te ndeshja e së dielës ndaj kombëtares kuqezi që do të zhvillohet në Lyon. Barazimi me Zvicrën ka lënë pasoja, sepse disa lojtarë në fund të ndeshjes kanë patur probleme fizike. Ky fakt e shqetëson jo pak trajnerin e përfaqësueses ballkanase, Anghel Iordanescu, i cili në prononcimin e tij për mediat bëri të ditur se, përballë Shqipërisë do të bëjë disa ndryshime në formacion nëse futbollistë si Rat, Pintilli e Stancu nuk arrijnë të riaftësohen në kohë nga dëmtimet respektive.
“Morëm një pikë ndaj Zvicrës dhe jemi në lojë për kualifikimin. Tashmë gjithçka varet vetëm nga ne. Duhet të fitojmë me çdo kusht ndaj Shqipërisë edhe pse e dimë që nuk do ta kemi të lehtë. Do të bëjmë ndryshime në takimin e fundit në grup, nëse nuk arrijmë të rikuperojmë të dëmtuarit. Razvan Rat ka disa probleme muskulore dhe do të jetë shumë e vështirë që ai të jetë gati pas vetëm 3 ditësh. Gjendja e Pintillit është akoma edhe më serioze dhe me shumë gjasa do të mungojë ndaj Shqipërisë. Edhe Stancu ndjen lodhje fizike, por ai gjithsesi ka më shumë mundësi për t’u riaftësuar në kohë. Kemi në skuadër futbollistë pa eksperiencë në eventimente të mëdha ndërkombëtare, dhe ky fakt ndikon negativisht te ne. Vetëm një lojtar nga 23 futbollistët e grumbulluar ka marrë pjesë më herët në një kampionat Europian”, u shpreh Jordanesku.