Propozim-ligji për gjuhën shqipe nuk ishte kryefjala e takimit të sotëm të liderëve të partive politike shqiptare, ashtu siç pritej. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në prononcimin për media deklaroi se janë takuar për të biseduar për pikat e “pakonsumuara” të Deklaratës së partive politike shqiptare, pa precizuar se cilat pika konkretisht janë përfshirë në programin e qeverisë. “Vlerësuam punën e mirë që është bërë deri më tani. Bëmë një bilanc të të gjithë programeve zgjedhore të partive politike me çka konstatuam se një pjesë e atyre përcaktimeve tanimë veç janë përfshirë në programin e qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Mbetet edhe më tutje që këto takime të vazhdojnë. Më duhen orë të tëra për të shpjeguar, se cilët janë pjesë e programit të qeverisë dhe cilat s’janë pjesë e programit të qeverisë”, deklaroi Ali Ahmeti i BDI.
Ahmeti fajësoi Besën se me mospjesëmarrjen në këto takime po pengon zbardhjen e rasteve që dyshohen si të montuara politikisht. “Për ne është shumë me rëndësi që ky komision të fillojë të funksionojë, sepse kemi çështje që i kemi ngritur për zbardhje të së vërtetës, sa i përket rastit të Kumanovës, sa i përket rastit të “Monstrës”, sa i përket rastit të “Brodecit” dhe rasteve të tjera që kërkojnë të zbardhet e vërteta. Tërësisht ky moment është bllokuar nga mosemërimi i kryetarit të Komisionit nga Lëvizja “Besa”, tha Ali Ahmeti i BDI.
Tryezës së partive politike shqiptare iu shtua edhe PDSH-ja opozitare, me përfaqësuesin e saj, Luan Tresi. Sipas Ahmetit partia e Thaçit do të ketë të drejtë të barabartë me partitë e tjera. Tresi që në takim vjen pas takimit të disa ditëve më parë mes Ahmetit e Thaçit, garantoi edhe një herë se kjo parti do të mbështesë ligjet në interes të shqiptarëve.
“Partia Demokratike Shqiptare si parti opozitare është deklaruar se do të mbështesë çdo nismë që ka të bëjë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve po edhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me proceset euro-integruese”, u shpreh Luan Tresi i PDSH.
Lëvizja “Besa” arsyetoi mungesën, duke kërkuar që takimi të bëhet në Kuvend, dhe BDI dhe Aleanca për Shqiptarët me shkrim të raportojnë se çfarë është përfshirë në programin qeveritar nga Deklarata e Përbashkët e Partive Politike Shqiptare, të hartohet plani për propozim-ligjin e gjuhës shqipe dhe të krijohen grupet e punës për përpilimin e tij.