Plehra, drogë e varfëri, trekëndëshi që ofron qeveria

Albana VOKSHI

Sot, Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë është organizata më e madhe politike në vend me mbi 20 mijë anëtare dhe përfaqësim në pothuajse të gjitha njësitë administrative! Sot, LDGSH dhe Partia Demokratike janë përfaqësuese me të drejta të plota në Forumet e Partive Popullore Evropiane, për t’iu dhënë siguri shqiptarëve se askush nuk mund ta kthejë më Shqipërinë në regjimin e diktaturës, censurës dhe mafies ashtu si sot po tentohet nga bijtë e po atyre etërve. Sot, pas 25 vjetësh, perspektiva e vetme që po ofrohet nga pushteti për shqiptarët, por më së shumti për gratë shqiptare është trekëndëshi: 1)  Plehra, 2)  Drogë dhe Prostitucion 3)  Varfëri dhe azilim
Pothuajse të gjitha raportet e agjencive ndërkombëtare (Departamenti Amerikan i Shtetit, Banka Botërore, Bashkimi Evropian) etj., përveç rritjes së varfërisë (BB: 50% e popullsisë në minimum jetik me më pak se 5 $ në ditë), përveç rritjes së papunësisë (18% në total, 33% te të rinjtë e mbi 50% të gratë)… ngrenë shqetësimin e madh që të drejtat e njeriut në Shqipëri po shkelen për shkak të përhapjes së korrupsionit në të gjitha degët e qeverisjes, dhe kryesisht në Drejtësi dhe Shëndetësi… E ndërsa vendi ynë po varfërohet, vota po tregtohet. Plantacionet e pistat e drogës po rrezikojnë ta rrëshqasin vendin drejt një skenari kolumbian, por në brigjet e Evropës. Dhe kjo më shqetëson, e më dhemb më së shumti së pari, si nënë e pastaj si politikane, sepse ky është vendi ku fëmijët e mi, fëmijët tuaj do të rriten… Por, jam e sigurt që gratë nuk do të lejojnë që Shqipëria të kthehet në një vend të pasigurtë për fëmijët e familjet e tyre. Ato nuk mund të pranojnë të shkatërrohet gjithçka çfarë ndërtuan shqiptarët e ndershëm dhe patriotë.
Ndaj sot jemi mbledhur në këtë forum të parë (nëser jemi në Kukës e më pas në Krujë, Pogradec, Lezhë etj), për të diskutuar rolin tonë, rolin e grave në vendimmarrje e në shoqëri. Për të diskutuar atë çka ne mund të bëjmë për vendin tonë, për kombin tonë. Të gjitha statistikat ndërkombëtare, vërtetojnë që më shumë gra në vendimmarje, aq më pak kriminalitet, aq më pak korrupsion, aq më shumë rritje ekonomike e më shumë mirëqienie. Dorëheqja e sforcuar e dy zonjave në Lezhë që të futej në Parlament një person i akuzuar për prostitucion është rasti më flagrant që vërteton më së miri këtë tezë. Nëse do të kishte më shumë gra, nuk do kishim të tjerë deputetë të mazhorancës me precedentë penalë. Po të kishim më shumë gra në vendimmarrje, mundet të mos kishim kryetarë bashkie të përzgjedhur nga Kryeministri, të dënuar për përdhunim, narkotrafik apo krim të organizuar…e kështu mund të vazhdoja gjatë në listën e arsyeve pse unë kam bindjen që më shumë gra i nevojiten politikës shqiptare, por jo për t’u përdorur si garniturë e bukur apo fasadë plot me ngjyra nga Kryeministri, apo për propagandë dite me numra apo kuota fiktive që s’flasin për realitetin e zymtë të grave shqiptare.
Ndaj LDGSH është e vendosur të luftojë për numra e kuota reale, ashtu siç bëmë kur propozuam të parët për 50% të grave në Këshillat Bashkiake, sepse zoti Basha besoi te gratë!!! Por pyetja që të vjen natyrshëm është: a është e lehtë për një grua të bëjë politikë në Shqipëri??? Jo, aspak!!! Sepse shpesh politika është e mbushur me fyerje, poshtrime dhe nënçmim. Po a mundet ne të lejojmë që bota jonë, pra bota e grave dhe vajzave shqiptare të varet nga arroganca e disa njerëzve sot me shumë pushtet, që shpesh të gjithë komplekset, inatin, zemërimin, urrejtjen ndaj çdokujt e çdo gjëje e shprehin në fyerje e tallje për gratë??? Jo, kurrësesi jo!!
Këta njerëz nuk mund të përfaqësojnë gratë, sepse i dhunojnë ato, i fyejnë i diskrimonojnë, i mundojnë me varfëri të tejskajshme, i vrasin shpresën, i shtyjnë drejt azilit, i lënë pa punë, u mbyllin dyert e shkollave vajzave, ju mohojnë shërbimin shëndetësor, u mbyllin bizneset sipërmarrëseve që mbajnë me punë me qindra familje. Dhe kjo është dhunë, është shkelje e të drejtave të njeriut, është sulm ndaj dinjitetit njerëzor të gruas në rolin e saj hyjnor të nënës!!!
Sot të gjithë treguesit realë të Barazisë Gjinore janë përkeqësuar. Nuk po flasim për numrat e ministreve, deputeteve, drejtoreshave që qartësisht nuk kanë sjellë politika mbështetëse për rritjen e mirëqenies të grave. Po flasim për gratë dhe vajzat që shfrytëzohen në punë të zezë, po flasim për gratë dhe vajzat që nuk kanë punë, nuk kanë të ardhura për të mbajtur veten dhe familjen. Po flasim për gratë viktima të dhunës në familje, që nuk kanë mbrojtje ligjore dhe sociale. Nënat kryefamiljare nuk kanë asnjë përkrahje për të rritur të vetme fëmijët e tyre. Shoqëria Civile ka mbetur pothuajse pa zë! Media është e censuruar!! Edhe pse mbi 90 për qind e gazetarëve janë gra dhe vajza, shumë pak prej tyre mbajnë poste editoriale dhe paguhen më pak se kolegët e tyre. Vetëm para disa ditësh, drejtoresha e lajmeve të një TV u pushua nga puna me porosi të Kryetarit të Bashkisë vetëm për shkak të një investigimi që publikoi të dhëna tronditëse se fëmijë, grat dhe vajza shfrytëzoheshin për punë të rënda në mes të ditës, në mes të Tiranës.
Për të gjitha këto arsye, si dhe të tjera zgjedhjet 2017 nuk kanë asnjë garanci ligjore. Propozimet e PD për reformën zgjedhore qëllimisht po vonohen. Sepse mazhoranca ka menduar për një “fenomen Dibror” të multiplikuar në zgjedhjet e ardhshme…duke përdorur madje edhe kryetaret e Këshillave Bashkiakë për të shpërndarë para “derë më derë”, apo duke përdorur/shpërdoruar ndihmën ekonomike për të blerë vota!!! Ndaj reforma zgjedhore është emergjencë për të siguruar atë çka duhet të ishte normë për vendin tonë: zgjedhje të lira e të ndershme!!! Ndaj edhe ne duhet të kemi zërin tonë dhe rolin tonë në këtë reformë!!! Sot është koha që të reagojmë!!! Është koha për një revolucion shoqëror dhe gratë duhet të ndihmojnë që të marrë jetë kjo lëvizje për ta kthyer pushtetin përsëri te qytetarët e në shërbim të tyre! Apeli im është besoni: gratë që fëmijët e të afërmit tanë mos të azilojnë, por ta shohin të ardhmen në atdheun e tyre; gratë që të ulim varfërinë dhe papunësinë; gratë që të mos ju mohohet e drejta fëmijëve tanë për arsimim dhe edukim; gratë për një Shqipëri pa plehëra, pa drogë, pa prostitucion!!! për një Shqipëri të bukur e të mirëqenë e dinjitoze ashtu siç fëmijët tanë e meritojnë!!!

Exit mobile version